Kurti ka dy fjalë për Veselin

Autori:Avdyl Pajaziti

Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nëpërmjet një shkrimi autorial, ka vlerësuar ndër tjerash se me fjalorin që kishte përdorur kryeari i Kuvendit, Kadri Veseli, kur i ishte drejtuar deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje me fjalët “ma hanksh…”.
Sipas Kurtit, Kadri Veseli, atë natë nuk po i shante Albulena Haxhiun dhe Fisnik Ismailin – ai po shante vetevetn e tij sepse sërish i kishte dështuar plani kundër opozitës.
“Fjalët e ndyra që i tha kryeparlamentari kah fundi i tentimit maratonik për seancë me 22 e 23 tetor, formuan konsensus në popullsi: e kemi ditur se është i këtillë e jo i atillë çfarë na shtirej!”, ka shkruar ndër tjerash Kurti.
Ja teksti i plotë i shkrimit të Albin Kurtit:
Njeriu i qetë, Kadri Veseli
‘I doli hajdari edhe Kadri Veselit.’ – kështu thonë tash i madh e i vogël, në fshat e në qytet, anembanë Kosovës.
Fjalët e ndyra që i tha kryeparlamentari kah fundi i tentimit maratonik për seancë me 22 e 23 tetor, formuan konsensus në popullsi: e kemi ditur se është i këtillë e jo i atillë çfarë na shtirej! Fundja agjentët e shërbimeve sekrete informative e kanë për detyrë të mos duken të tillë, apo jo? Ndërkaq, nxitimi me të cilin Veseli orvatej ta çkyçte mikrofonin që e kishte harruar të ndezur gjersa shante vetëm sa ua vizatonte qytetarëve atë që moti e kishin ditur për të.

Kadri Veseli atë natë nuk po i shante Albulena Haxhiun dhe Fisnik Ismailin. Ai po shante vetveten e tij sepse sërish i kishte dështuar plani kundër opozitës.
Në seancën plenare inatçore dhe arrogante që s’po arrinte të fillonte as pas mesnatës ai tashmë e kishte të qartë: opozita nuk ishte lodhur, opozita nuk ishte mërzitur, dhe, opozitës nuk i ishte harxhuar municioni (në trajtën e gazit lotsjellës të dhuruar nga policia e Kosovës).

Natyrisht që sharjet si shkarje tregojnë (të vërtetën) për karakterin e Kadri Veselit si dhe për edukatën e tij.
Natyrisht që Kadri Veseli po bëhet gjithë e më i pacipë sepse po i pëlcet cipa artificiale nga temperatura në sallën e Kuvendit.

Mirëpo, qëndrimet e mendimet e Kadri Veselit për opozitën e bashkuar e posaçërisht për Lëvizjen VETËVENDOSJE! nuk është se i mësojmë nga çastet e shpërthimit të tij. Përkundrazi, pikërisht njeriu i qetë, Kadri Veseli, na i thotë vetë ato.

Këtu nuk e kam fjalën për fjalitë e tij kaotike që i dëgjojmë nga ulësja e tij speciale për ata që kanë probleme me kurriz dhe qafë, pra, nuk e kam fjalën për fjalitë e tij prej kryeparlamentari që nuk e respektojnë as drejtshkrimin, as shqiptimin dhe as gramatikën e gjuhës sonë. E kam fjalën për një shkrim të tij të titulluar “Koha për debat parlamentar dhe agjenda pozitive për vendin” e të botuar te Koha Ditore, më 5 tetor 2015.
Ky shkrim është përplot me gënjeshtra e pasaktësi, por le të ndalemi këtu vetëm në dy pika të këtij artikulli të njeriut të qetë Kadri Veseli duke dhënë me këtë rast edhe citatet përkatëse.

1. ”Është e qartë se qytetarët e Kosovës nuk e përkrahin këtë mospërfillje. Populli i Kosovës kurrë nuk do t’i pranoj dogmat e mykura të ekstremistëve të majtë mbi ShBA-të si nëna e të gjitha të këqijave, dogma që kanë pushtuar mendjet dhe zemrat e shumë drejtuesve opozitarë në Kosovë.” Në opozitën kosovare nuk ka ekstermistë të majtë. Lëvizja VETËVENDOSJE! është socialdemokrate dhe vetëm ndoshta nga pozicioni fashist ajo mund të duket ekstreme e majtë. Më tutje, asnjë deputet i opozitës së bashkuar nuk i konsideron ShBA-të si një e keqe, as si nëna e të keqes, e as si ‘nëna e të gjitha të këqijave’! Kjo shpifje e ndyrë orvatet t’ia bëjë me sy ambasadorit amerikan në Kosovë dhe është shprehje e maliciozitetit të një servili. Madje, pikërisht në ShBA, psh. të gjithë kandidatët presidencialë republikanë po thonë se do ta rinegociojnë marrëveshjen e Obamas me Iranin sepse nuk e duan e nuk e pranojnë atë marrëveshje, ndërsa neve këtu përditë na thuhet prej regjimit dhe njerëzve të tij se Mustafa nuk mund ta tërheq nënshkrimin e tij.

2. “Stagnimi ekonomik është duke rënduar përtej pragut të durueshmërisë jetën e qytetarëve tanë. Këtu qëndron rreziku, e jo tek Serbia, sundimi i të cilës mbi Kosovën ka marrë fund njëherë e përgjithmonë në vitin 1999”. Më së paku pritet prej Kadri Veselit që vjen nga Mitrovica të provojë të na i shesë këto gjepura se sundimi i Serbisë ka marrë fund në vitin 1999 kur dihet e shihet që Mitrovica sot është e ndarë edhe më shumë sesa që ishte në qershorin e vitit 1999. Ndërkaq, të thuash se Serbia nuk është rrezik, por vetëm stagnimi ekonomik (i cili, në fakt, sërish vjen edhe nga kjo qeveri edhe nga ndarja e Trepçës dhe Mitrovicës) do të thotë t’i shërbesh strategjisë shoviniste e hegjemoniste të Serbisë. Ditë më parë, zyrtari më i lartë i Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq, tha që Kosova nuk duhet të merret me bërjen e ushtrisë së saj por me arsimin, ekonominë etj. (sic.).

Kur isha herën e fundit në Mitrovicë e dëgjova një shaka interesante nga qytetarët atje. Ajo fillonte me pyetjen: çka bëhet (Kadri) Veseli kur e kalon urën mbi Ibër? Dhe, vazhdonte përgjigja lucide: (Zoran) Veselinoviq! Anasjelltas vlen po ashtu, do të shtoja unë. ShIK-u e ka bazën në Mitrovicë, por për 16 vjet askund asnjëherë agjentët e tij nuk u zatetën me ata të UDB-së së Serbisë e t’i lajnë hesapet. Apo, kushedi, ndoshta edhe janë zatetur, do të shtonte me ironi shakaxhiu nga Mitrovica!?(sic)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kurti-ka-dy-fjale-per-veselin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala