Kurti i faluri i vetëm i Serbisë, prej 489 shqiptarëve të burgosur (Dokument)

Autori:Avdyl Pajaziti

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në burgjet e Serbisë po mbaheshin edhe 489 shqiptarë. Njëri prej tyre ishte edhe Albin Kurti, ish-lider i Lëvizjes Vetëvendosje, tash deputet i Kuvendit të Kosovës.

Kurti dallonte shumë prej të burgosurve të tjerë dhe atij i lejohej shpeshherë të jepte edhe deklarata për media të huaja, me të cilat ende mburren anëtarët e lëvizjes që ai kishte krijuar. Por, ato intervista, sipas disa ish të burgosurve të tjerë, shpeshherë edhe vlerësoheshin si “marketing” për autoritetet serbe në sytë e botës, të cilat jorrallëherë i përdornin, duke i marrë si shembuj se në burgjet e Serbisë, përpos që asnjëri prej shqiptarëve nuk ka trajtim të keq, ata e kanë të garantuar edhe lirinë e shprehjes së mendimeve të tyre dhe kjo respektohet prej pushtetit serb. Gjithsesi, kjo nuk ishte e veçanta e vetme e ish-liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Republika.info, ka siguruar një dosje sekrete të autoriteteve serbe në të cilën edhe arsyeja e lirimit të Kurtit shihet se është e veçantë. Në këtë dosje sekrete të autoriteteve të Serbisë, ku janë emrat e shqiptarëve, që mbaheshin në burgjet e Serbisë pas përfundimit të luftës, të cilët pas presionit ndërkombëtar dhe ndërrimit të pushtetit në Serbi u amnistuan, vetëm Kurtit te procedura e lirimit i shkruan “I falur”, kurse të gjithë të tjerët kanë arsyeshmëri tjetër.

Siç mund ta shihni në dokumentet e bashkëngjitura, të gjithë të burgosurve u shkruan procedura e lirimit, si: “otpusten na osnovu amnestie” – lëshohet në bazë të amnistisë, “ukinut pritvor” – i ndërpritet burgu, “pusten u slobodi” – i liruar. Ndërsa, në faqen 6, te numri rendor 278, mund ta shihni emrin e Albin Kurtit, të cilit i shkruan “pomilovan”, që në shqip do të thotë “i falur”.

Republika.info rezervohet në vlerësimin e motiveve që i kanë shtyrë autoritetet serbe ta veçojnë procedurën e lirimit të Kurtit, megjithatë për lexuesit sjellim dëshmitë në të cilat mund ta shohin se Albin Kurti është i vetmi i burgosur shqiptarë, i cili ishte falur nga Serbia.

Njëra prej akuzave më të shpeshta që i është bërë Kurtit prej politikanëve të tjerë në Kosovë ka qenë se pse ai ishte lënë i lirë, madje edhe i ishte organizuar konferencë ndërkombëtare për media në burg, ndërkohë që aktivistë të tjerë të burgosur, si Ukshin Hoti, u zhdukën dhe ende nuk dihet asgjë për fatin e tyre. /Republika.info/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kurti-i-faluri-i-vetem-i-serbise-prej-489-shqiptareve-te-burgosur-dokument/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala