Kur drejtojnë femrat

Autori:Zekirja Shabani

Të pavaruara, të guximshme për të eksperimentuar, këmbëngulëse për t’i bërë gjërat mirë dhe mbi të jgitha me ide të qarta për të ardhmen. Janë profile femrash që drejtojnë apo menaxhojnë me sukses sipërmarrje, që i përkasin fushave të ndryshme. Rruga për të mbërritur deri këtu për to ka qenë e vështirë, por asnjëherë nuk i kanë thënë vetes “unë nuk jam mjaftueshëm e zonja”. Gratë kërkojnë modele grash për t’u frymëzuar.

Konfigurimi i kromozomeve pak rëndësi kur vjen puna për të drejtuar një biznes. Janë karakteristikat, disa më dominuese që i bëjnë ato të jenë të suksesshme. Në terrenin e vështirë të biznesit shqiptar, ka shumë histori grash që ia kanë dalë dhe vazhdojnë ta bëjnë çdo ditë këtë. Mjedisi nuk është më mbytës si dikur, si në ato vitet e para të tranzicionit. Dëshira për të qenë e pavarur, për të drejtuar qoftë edhe me këpucët me taka, i ka bërë të afta të krijojnë modele të sukseshme, që arrijnë të tregojnë shembuj pozitiv. Në këtë numër, “Monitor” sjell profilet e disa zonjave që u përkasin fushave të ndryshme, duke filluar nga bota e vështirë e financës e deri tek ajo elegante e modës. Nuk janë vetëm pronare, por edhe menaxhere që kanë ngjitur gradualisht shkallët e karrierës dhe sot janë në pozicione të rëndësishme.

Por, le t’i kthehemi për pak shifrave për të kuptuar se ku qëndron sot gruaja shqiptare, ne biznes dhe në drejtim.

Në vitin 2015, numri i bizneseve të reja shqiptare në pronësi të femrave ishte 7 herë më i lartë në krahasim me vitin paraardhës, sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit (QKR).

Bizneset e hapura prej tyre zunë 34.2% të totalit të sipërmarrjeve fillestare, në po të njëjtën periudhë. Shifrat janë optimiste dhe tregojnë se gjithnjë e më shumë, femrat shqiptare po investojnë në rritjen e pavarësisë së tyre ekonomike.

Monitor 720

Megjithatë, jo gjithmonë shifrat janë kaq rozë. Në tregun e punës ekzistojnë dallime të konsiderueshme gjinore, ku femrat e të gjitha grupmoshave kanë shkallë shumë më të ulët punësimi sesa meshkujt. Edhe në papunësinë afatgjatë, gratë janë më të ekspozuara se burrat. Ato janë veçanërisht të pafavorizuara në zonat rurale, ku shpesh bëjnë punë të papaguara në fermat familjare, gjë që kufizon fuqizimin dhe pavarësinë e tyre ekonomike. Dokumenti politik i përfshirjes sociale për periudhën 2016-2020 përcakton barazinë gjinore në tregun e punës si një nga synimet kryesore të zhvillimit të vendit, i cili do të mund të arrihet me zbatimin e disa masave, si: miratimi i ndryshimeve legjislative për pagë të barabartë, nxitja e masave të diskriminimit pozitiv në sektorët ku gratë janë të nënpërfaqësuara dhe përmirësimi i qasjes në kredi dhe mbështetja e bizneseve.

Sipas kësaj strategjie, deri në fund të vitit 2020, sipërmarrjet e drejtuara nga gratë do të përbëjnë 35% të totalit në të gjithë vendin. Aktualisht, shumica e bizneseve të regjistruara të drejtuara nga gratë gjenden në Tiranë (31%) dhe Elbasan (30%). Ndonëse rreth 70% e grave që jetojnë në zonat rurale punojnë në bujqësi, vetëm 6% e fermave janë në pronësi ose nën menaxhimin e tyre.

Monitor 720

Hendeku gjinor është më i ngushtë midis femrave dhe meshkujve me nivel më të lartë arsimor. Ky fakt sugjeron që gratë dhe vajzat e arsimuara e kanë më të lehtë të hyjnë ose të rikthehen në tregun e punës në krahasim me ato më pak të arsimuara, të cilat do të duhen të mbështeten për të përmirësuar aftësitë profesionale. Shembuj të tillë të suksesshëm janë zbatuar në vende të tilla si Italia e Veriut dhe vende të tjera në Europë.

Në rastet kur gratë gjejnë punësim, ato fitojnë zakonisht më pak të ardhura. Pavarësisht se femrat kanë mesatarisht rreth 1,3 vite më shumë arsim në krahasim me meshkujt, ato marrin paga mesatarisht një të pestën (20%) më të ulëta dhe hendeku gjinor i pagave duket se po rritet.

Zgjerimi i hendekut gjinor të pagave mund të vijë pjesërisht si rrjedhojë e ndikimeve të krizës ekonomike.

Masa e nënpërfaqësimit të grave është më e lartë në sektorin privat jobujqësor, ku vetëm 33.4% e punonjësve janë gra, ndërsa shifra në sektorin publik është 48% (INSTAT, 2014)

Në sektorin publik, gratë përbëjnë përqindjen më të lartë të punësimit në pozicione të tilla si specialiste ose punonjëse të zakonshme, të cilat paguhen shumë më pak në krahasim me pozicione si ligjvënës, zyrtarë të lartë dhe drejtorë, politikëbërës etj., të cilat mbahen më shpesh nga meshkujt. Gratë janë gjithashtu të nënpërfaqësuara në organizatat e shoqërisë civile, vetëm 18,2% e të cilave drejtohen prej tyre.

Megjithatë, lajmi i mirë është se historitë e grave të suksesshme, që ia kanë dalë në fusha të ndryshme, po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Kjo falë përpjekjeve, besimit dhe edukimit.

Të rritësh (dhe të rritesh) në një bankë

Enkeleda Hasho, drejtore e Kredisë, Union Bank

Monitor 720

Ajo është pjesë e institucionit që prej krijimit të tij. Për Enkeleda Hashon, drejtore e Kredisë në “Union Bank”, 2016-a shënon dhjetë vjet përvojë në një sektor të bukur, të shoqëruar me sfidat e veta, por edhe me përpjekjet e vazhdueshme për t’u rritur profesionalisht, për t’iu përgjigjur ndryshimeve dhe për të mbajtur në kontroll një nivel rreziku të menaxhueshëm.

“Përvoja e deritanishme është pozitive, e mbushur me shumë arritje. Kujtoj që kam qenë në radhët e para të stafit në bankë, në një ekip shumë të mirë, të tërhequr nga bankat e tjera dhe që së bashku, falë punës intensive kemi ngritur nga fillesat një bankë, që lindi 10 vite më parë. Tani e shohim teksa po rritet në çdo drejtim. E nëse do të kthehesha pas, do ta zgjidhja rishtas këtë përvojë. Më ka rritur dhe më ka bërë të vlerësohem edhe më tepër në nivelin personal dhe atë profesional”, thotë znj. Hasho.

Por, puna në bankë nënkupton edhe orare të stërzgjatura. Ajo thotë se nuk është e lehtë që të arrish të balancosh zyrën me jetën private, sepse jo gjithmonë është e mundur. Ndonjëherë, peshorja anon nga njëra anë dhe kështu i hyn disi në “hak” pjesës tjetër.

“Shumë vite më parë kam lexuar një shprehje të një prej CEO-ve më të njohur të një kompanie ndërkombëtare, që thoshte: ‘Puna, familja, shoqëria, shëndeti janë si ato topat që mban zhongleri në ajër. Duhet të përpiqesh t’i mbash të gjitha sipër në çdo kohë. Nëse një top bie, mund të bien dhe të tjerët. Por, unë i kam dhe disa avantazhe. Familjen e kam krijuar herët e tani më janë bërë mbështetje dhe më kanë krijuar lehtësi. Megjithatë, duhet të sakrifikosh, por jo në drejtim të kohës së familjes, sesa më tepër ndaj vetes dhe orëve personale. Por, nuk ka asgjë që nuk arrihet, sidomos kur të pëlqen ajo që bën, ajo që synon të arrish. Çdo vështirësi kalohet më lehtë duke u kujdesur që të kesh arritjen e duhur në punë, por dhe në jetën tënde”, thotë znj. Hasho.

Ajo thotë se nuk është e lehtë që të arrish të balancosh zyrën me jetën private, sepse jo gjithmonë është e mundur. Ndonjëherë, peshorja anon nga njëra anë dhe kështu i hyn disi në “hak” pjesës tjetër.

Me stafin thotë se ka marrëdhënie të plotë, të arrira. “E vlerësoj shumë stafin pranë meje dhe shumë prej tyre kanë një përvojë të gjatë e pozitive në “Union Bank”.

Banka është si një shtëpi e dytë. Kalojmë shumë kohë bashkë, më shumë kohë gjatë ditës, javës, vitit e për rrjedhojë kur arrijmë rezultate të mira së bashku, marrëdhëniet bëhen më pozitive. Nuk mendoj se jam një drejtuese autoritare. Në disa momente, si pjesë e punës edhe mund të ndodhë, sepse e tillë mund të vijë ngarkesa, vështirësitë dhe sfidat apo proceset shumë specifike, por kemi një bashkëveprim të mirë dhe të vlerësuar. Puna e gjithsecilit vlerësohet në fund me arritje të përbashkëta, me synimin final që të kemi një proces kreditimi të shëndetshëm, të kujdesshëm dhe me rrezik të kontrolluar. Nuk do të toleroja mospërmbushjen e kërkesave kryesore të bankës, ndjekjen e standardeve të vendosura të punës, ripërsëritjet e gabimeve. Një nga mostolerancat e vogla, mund të jetë ndonjë vonesë e gjatë ose e ripërsëritur për të përmbushur një detyrë, kur nuk ka një justifikim objektiv për këtë”, thotë drejtoresha e Kredisë në “Union Bank”.

Por, si e sheh ajo konkurrencën mes së njëjtës gjini në sektorin bankar?

“Ndoshta ka, thotë ajo, por unë nuk e ndiej shumë. Mund të them që kam marrëdhënie të mira e korrekte me shumë kolege të bankave të tjera. “Ndoshta më të ndikuar nga konkurrenca femërore mund të ndihen pjesa tjetër e gjinisë. Duhet pranuar se pjesëmarrja e femrave në majat drejtuese, nuk është më e larta e mundshme, pavarësisht se vazhdimisht tregohet me statistika ndërkombëtare që rritja e pjesëmarrjes së femrës në çdo nivel drejtimi, edhe në ato më të larta, sjell rezultate dhe menaxhim më të mirë. Balanca e femrës ndihet dhe sa po vjen e po rritet, por përsëri nuk është atje ku duhet të jetë.

Por, cilat janë sfidat që ka përpara Enkeleda Hasho? Ajo thotë se viti do të rrjedhë me fluksin e pritshëm të punës dhe përpjekjet për të performuar edhe më mirë, për të përmirësuar në shumë drejtime. Asnjëherë nuk mjaftohesh aty. Gjithmonë ka diçka që mund ta bësh më mirë. Mund ta rimendosh për ta bërë më mirë. Planet e mia lidhen me synimet pak më larg se një vit. Ende janë në ajër, mbi kokën time, por do të kërkojnë kohën vet, momentin e pjekjes së tyre”.

Të bësh financë sipas modelit amerikan

Irena Kreci, menaxhere finance, Fondi Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve

 Monitor 720

Prej më se dy vjetësh, ajo i është bashkuar stafit të Fondit Shqiptaro–Amerikan të Ndërmarrjeve (AADF), një institucion që është krijuar në vitin 1995, i cili synon të ndihmojë për zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme të sektorit privat dhe të një shoqërie demokratike në Shqipëri. Irena Kreci është Menaxherja Financiare e këtij Fondi. E re dhe ambicioze, ajo i ka ngjitur gradualisht shkallët e karrierës. Znj. Kreci tregon se financa si formim akademik është një zgjedhje personale, e konsultuar me familjen në kohën e përzgjedhjes së degëve për pjesëmarrjen në konkurset e pranimit në universitet.

“Në kohën që kam marrë këtë vendim, isha mes dy alternativash: Financë dhe Juridik. Vendosa të zgjedh të parën. Nëse rikthehem pas në kohë e them me bindje se do të kisha bërë të njëjtën zgjedhje”, thotë znj. Kreci.

Karriera me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve është vijueshmëri e nivelit menaxherial të formimit të saj profesional.

“Pozicioni si Menaxhere Finance kërkonte një formim dhe kualifikim të tillë. Rritja në karrierë ka ardhur gradualisht, me shumë punë, lodhje, angazhim e përkushtim, por edhe me kënaqësi profesionale njëkohësisht, duke u promovuar vit pas viti e duke ngjitur shkallët deri në nivelin menaxherial”, tregon ajo.

Janë të shumta tiparet e menaxhimit që thotë se i ka kultivuar falë përvojës, trajnimeve, kualifikimeve të vazhdueshme me modelet e praktikat më të mira, si pjesë e kulturës së shoqërive apo institucioneve pranë të cilave ka punuar dhe punon aktualisht.

“Jo vetëm këto, por kanë qenë kolegët dhe skuadra, mësuesit e vërtetë të kulturës profesionale, menaxheriale. Mund të përmend: vendimmarrjen, organizimin e kohës, stafin, informacionin, financat, vendosjen e prioriteteve, delegimin, motivimin dhe zhvillimin e stafit për rritje profesionale, vendosjen e objektivave dhe qëllimeve, mendimin kritik dhe bashkëpunimin, të shoqëruara këto me ‘çelësin e artë’ të komunikimit”, thotë znj. Kreci

Ajo thotë se nuk ka ndier në asnjë rast pabarazi në zhvillimin e karrierës në profesionin që ka zgjedhur, në rritje profesionale apo në promovime. “Të gjitha këto nuk kanë ndodhur për shkak të dallimit gjinor, por lidhen ngushtë me vlerat dhe kulturën e shoqërive ku jam rritur profesionalisht. Me vlera të mira, pozitivitet, besim dhe respekt nuk ka barriera që të pengojnë drejt suksesit”, tregon menaxherja financiare e AADF-së.

Por, sa “amerikane” ndihet ajo në menaxhim? “Them që ndihem menaxhere në menaxhim dhe që përshtatem plotësisht me modelin amerikan. Menaxhimi nuk ka kombësi, por aftësi dhe profesionalizëm”, thotë znj. Kreci

Në të ardhmen e afërt, fokusi i saj do të jetë konsolidimi i pozicionit dhe kontributi në Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe në një të ardhme pak më të largët, pse jo edhe në sipërmarrje.

Të braktisësh bankën për librin

Loreta Berhami, drejtuese artistike, shtëpia botuese “Pegi”

Monitor 720

Ajo braktisi shifrat për fjalët. Një “kapërcim” që nuk ndodh shpesh, por ky është rasti i Loreta Berhamit, drejtueses artistike të shtëpisë botuese “Pegi”. Shumë pak e dinë se ajo vjen nga një formim në fushën e financës, nga një edukim në një prej universiteteve më të njohura në Bocconi të Italisë. Arsyeja? Puna e përditshme që bënte në bankë (si analiste në UBS) nuk i jepte kënaqësi të madhe ose, për të qenë më të saktë, jo aq sa do të mjaftonte për ta motivuar të punonte 16 orë në ditë, mesatarisht.

“Vjen një pikë ku edhe rroga më e majme nuk të shijon më, nëse nuk ke kohë të jetosh. Kështu që, si shumë të tjerë që kanë punuar në një bankë investimesh, vendosa që, pas tre vitesh e pak, të ndryshoja sektor. Nuk isha e sigurt se çfarë mund të më pëlqente të bëja, prandaj dhe vendosa të bëja një MBA, për të marrë ca kohë për reflektim dhe njohje të vetvetes. Më pas, gjithçka erdhi në mënyrë graduale. Doja të isha e vetëpunësuar, të mos varesha nga dikush, por mbi të gjitha, doja të krijoja diçka me të cilën mund të identifikohesha, që të më pëlqente. I vetmi ‘pasion’ i jetës sime kanë qenë librat dhe leximi. Që e vogël, në vend që të dilja të luaja si gjithë fëmijët e tjerë, mbyllesha në shtëpi me orë të tëra dhe lexoja. Këto vite, disa nga miqtë e mi të shkollës së mesme, më kanë treguar se paskam thënë që atëherë që doja të bëja çfarë po bëj tani; unë nuk e mbaj mend këtë detaj, por mendoj se thonë të vërtetën. Janë të pakta gjërat për të cilat ndiej më shumë pasion se sa për letërsinë.

Botimet ‘Pegi’ ekzistonin, prindërit e mi kishin vite që e kishin krijuar dhe i përkushtoheshin së bashku me një staf të vogël besnik. Tani që hedh sytë pas në kohë, mendoj se ishte një zgjedhje e natyrshme, paçka se jo detyrimisht e lehtë”, tregon znj. Berhami.

Por të menaxhosh një biznes të tillë nuk është aspak e lehtë, sidomos në këto kohë. Sektori po përjeton një sërë ndryshimesh thelbësore. Nga njëra anë dhe ndoshta me efekte më afatgjata është dixhitalizimi i librit. Si do të lexohet në të ardhmen, si do të botohet, kush do të botojë, kush do të seleksionojë çfarë meriton të botohet/lexohet, e të tjera pyetje si këto janë ende pa përgjigje. Nga ana tjetër është efekti i medias dhe rrjeteve sociale, e cila përthith gjithmonë e më shumë një pjesë të rëndësishme të kohës së lirë të njerëzve. “Librat janë në konkurrencë me rrjetet sociale për sa i përket tërheqjes që ushtrojnë mbi njerëzit. Është e qartë se tani për tani po humbin betejën. Por në këtë drejtim jam optimiste. Mendoj se këto janë efektet e risisë dhe janë afatshkurtra. Natyrisht po flas për horizonte kohore që i përkasin historisë së njerëzimit dhe jo jetës së një njeriu. Ka gjasa që sa të jemi ne gjallë, kjo situatë të vazhdojë kështu, në mos të përkeqësohet. Botimet janë një aktivitet ekonomik gjithmonë e më sfidues nga pikëpamja financiare (dhe jo vetëm). Por, kjo është jeta. Nuk mund të zgjedhim kë të duam. As pasionet tona nuk i zgjedhim dot”, thotë ajo.

Të qenët femër nuk është se përbën ndonjë avantazh në rastin e menaxhimit të një shtëpie botuese, por ajo thotë se femrat janë lexuese më të mira, mesatarisht, prandaj edhe ka probabilitet më të madh (nëse e krahasojmë me drejtuesit në sektorë të tjerë) që një botues të jetë femër se sa mashkull.

“Ndarja e kohës pastaj është një çështje më vete: një betejë e vazhdueshme. Unë pastaj që nuk jetoj në Tiranë, por kam biznesin këtu, e kam edhe më të vështirë. E ndiej veten të tërhequr në mënyrë konstante në dy anë të kundërta. Bëj kompromise, negocioj me tim shoq, fajësoj shpesh veten që nuk kaloj aq kohë sa duhet me tim bir, punoj pa pushim sa herë që mundem. Mungesa e barazisë në ndarjen e angazhimit shtëpiak është një faktor kyç për një grua që punon jashtë shtëpisë. Është një betejë shumë e rëndësishme për mua; aq sa kam botuar shumë dhe shpesh për këtë temë dhe deri diku më kanë edhe etiketuar si botuesja “feministe”. Më pëlqen kjo etiketë, por nuk ishte ky qëllimi im. Shpresoj që disa nga lexuesit e librave tanë të kenë pasur kohën dhe mundësinë të kenë kuptuar mesazhet që jam munduar të përcjell”, thotë znj. Berhami

Kur i kërkon që të flasë për raportet me stafin thotë se bën përpjekje të vazhdueshme dhe të ndërgjegjshme për të mos qenë autoritare. “Nuk mendoj se alternativa e kësaj është të jesh ‘tolerante’. Mendoj se një menaxhere e suksesshme duhet mbi të gjitha të udhëheqë me shembullin e saj. Kështu që mundohem të punoj fort dhe me ndërgjegje për t’u treguar të tjerëve se çfarë pres nga ata. Mundohem të komunikoj dhe të jem e qartë për synimet e mia. Mundohem t’i motivoj duke i shtyrë të shprehin opinionin e tyre. Mundohem t’i aftësoj të marrin vendime dhe përgjegjësi. E vërteta është që unë nuk dua të punoj me vartës, por me kolegë. Gjithçka që bëj, e bëj me këtë qëllim. Sa ia kam arritur, nuk e di. Duhet të pyesni ata”, – thotë botuesja e “Pegi”.

Asaj i pëlqen të jetë në garë, gjithmonë, brenda apo jashtë llojit. Mendon se si në çdo sektor tjetër, mund të kishte pak më shumë bashkëpunim dhe dashamirësi. Ka njohur dhe është në kontakt me botues dhe botuese që janë treguar shumë të njerëzishëm dhe bashkëpunues. Ka njohur edhe të tjerë që çalojnë në këtë drejtim. Ajo që e bezdis më shumë është mungesa e njëfarë autokritike. “Kur unë dështoj, gjëja e parë që bëj është lista e detajeve për të cilat nuk jam kujdesur siç duhet. Mundohem pastaj të kem një vizion më madhor dhe të kuptoj nëse strategjia ime ishte e papërshtatshme. Pra, para së gjithash gjykoj punën time dhe identifikoj përgjegjësitë e mia. Ndërkohë që nuk kam takuar shumë të tjerë që kanë të njëjtën prirje. Më duket se shumë mundohem ta gjejnë fajin te të tjerët. Akuzat e thëna ose të pathëna për favoritizëm apo mbështetje të fshehta janë gjithmonë aty. Përjetohen gjithmonë të njëjtat minidrama. Ndoshta nuk jam në pozitë për të gjykuar; askush nuk mund ta dijë se si ndihet një tjetër. Është më shumë një intuitë e imja, por mund ta kem gabim”, thotë znj. Berhami.

Ajo tregon se ka shumë sfida të vogla, beteja pa fund. Ëndrra e saj, por edhe sfida më e madhe, është të arrijë ta bëjë sektorin e librit artistik të pavarur nga libri shkollor, të krijojë një strukturë të vogël, por të shëndetshme që boton tituj cilësorë, që promovon një sërë vlerash dhe që mbijeton financiarisht e pavarur.

Por, a beson se femra shqiptare ka arritur të forcojë pozitat e saj?

“Nuk besoj se ka dy apo më shumë lloje femrash shqiptare: një në drejtim, një në shërbim apo ku di unë. Ka vetëm një femër shqiptare. Paragjykimet që i drejtohen njërës prej nesh, na drejtohen të gjithave. Sepse paragjykimet gjinore nuk kanë të bëjnë me personin, profesionin apo aftësitë e tij, por kanë të bëjnë me të qenët femër (apo mashkull, në disa raste).

Mendoj se pozita e femrës shqiptare në shoqërinë tonë është ende larg ideales. Jemi ende shumë të ngarkuara dhe pak të vlerësuara. Shpesh trajtohemi si mall shkëmbimi. Portretizohemi si qenie monopërmasore, me pak ambicie dhe aftësi të kufizuara.

Mendoni se ka ndonjë femër në Shqipëri së cilës të mos i ketë ndodhur të paktën një herë një nga këto: a) ta kenë shqetësuar në rrugë me fjalë apo propozime degraduese, b) ta kenë pyetur mos është ajo periudhë e muajit për shkak të një reagimi, c) kolegët meshkuj t’i kenë bërë një shaka që ka lidhje me pamjen e saj të jashtme, me mënyrën se si është veshur apo si i ka flokët, d) t’i kenë thënë ‘të takon ty kjo punë, se ti je grua’… e shumë të tjera si këto.

E di çfarë do më pëlqente? Që të kishim forcën dhe vullnetin për t’u organizuar siç bënë islandezet në vitin 1975 dhe të bënim një ditë grevë. Gjithë gratë në gjithë Shqipërinë, një ditë grevë nga çdo lloj pune, brenda dhe jashtë shtëpisë. Një ditë ku jo vetëm të mos punohet, por të mos gatuhet, pastrohet, rregullohet… Do të ishte një shuplakë fantastike”.

Si është të drejtosh biznesin e parë të dietologjisë në Shqipëri

Blerina Bombaj, drejtuese e Qendrës Dietologjike “Health & Diet”

Monitor 720

Prej 10 vitesh tashmë, ajo u kthye në Shqipëri me një model biznesi krejtësisht të ri për vendin tonë, nuhatja e së cilës rezultoi e suksesshme. Pothuajse të gjithë e lidhin “dietën” me Blerina Bombaj, emër i cili është shndërruar në një koncept biznesi inovator.

Blerina tregon se dëshira për të qenë dietologe, në vitet kur kjo fushë njihej shumë pak (në Shqipëri aspak), nuk lindi rastësisht.

“Dëshira lindi jo rastësisht, pas përfundimit të shkollës së mesme po në Greqi, aplikova për studimet e larta në fushën e mjekësisë dhe në fund, zgjodha dietologjinë. Ishte një program studimi relativisht i ri, kishte 2 vjet që ishte hapur kur nisa unë studimet. Një fushë e re, në Greqi e aplikuar, por në vendin tonë nuk ishte e dëgjuar. Që në atë kohë, ndihej që do të ishte një shkollë e së ardhmes…”- tregon ajo.

Pyetjes se cila është arsyeja që nevojitet “dietologjia”, Blerina i përgjigjet se zhvillimi ka “kusuret” e veta dhe një ndër to është kequshqyerja, mungesa e kujdesit, si pasojë e një jete tashmë intensive, me mungesë kohe. “Pasi punova në një qendër kardiologjie në Greqi, me një vendim të minutës së fundit, vendosa të braktis gjithçka dhe të kthehem në vendin tim për të ndërtuar këtu projeksionet e mia”- thotë znj. Bombaj, e cila nuk harron në asnjë moment ndihmesën nga mamaja e saj dhe i vëllai, në fillesat e biznesit të saj në vitin 2006.

“Dieta me dërgim në shtëpi ka qenë frymëzimi im i parë, që në Greqi ka qenë industri shumë e mirë, por këtu nuk njihej. E hapa restorantin e parë në fund të 2005-s, me mbështetjen si staf, morale por edhe financiare të familjes sime. Mamaja ime ishte forca dhe njëkohësisht këshilluesja ime, si një femër inteligjente por edhe me shumë përvojë në jetë. Ajo m’i ka treguar gjithnjë kufijtë, se ku duhet të shkel dhe se çfarë nuk duhet të kapërcej. E kam dëgjuar me shumë besnikëri. E në fakt, gjithçka më ka rezultuar mirë, duke qenë se pas 10 viteve, kam një biznes me 30 të punësuar, jam duke ndjekur edhe disa projekte të tjera si ferma ime, nga e cila do të marr lëndën e parë ushqimore organike për klientët, për restorantin”,- vijon të tregojë Blerina.

Ajo nuk di të shkëpusë një arsye të vetme se si një femër të arrijë të hapë dhe mbajë në këmbë më shumë se një biznes dhe të ndërtojë një emër në këtë vend, por thotë se diçka ka kuptuar nga përvoja e këtyre 10 viteve. “Në këto 10 vite, kam kuptuar që po ta bësh punën me dashuri dhe përkushtim, mëson vetë se si të ecësh përpara”, -thotë ajo, duke zbuluar edhe të tjera plane për hapjen e një restoranti tjetër, por në të cilin do të jetë vetë: edhe drejtuese, edhe kuzhiniere, edhe dietologe.

“Pranë fermës do të hap edhe një kuzhinë, tek e cila dua të realizoj vetë gatimet nga këshillat që u jap klientëve. Përveç këtij restoranti organik, do të hap edhe qendër kursesh edukuese për fëmijët, rreth natyrës organike të të ushqyerit dhe të njohurit të habitatit dhe kafshëve”,- tregon Blerina.

Nuk resht së qeshuri kur kujton hapat e parë të themelit të biznesit. Thuajse të gjithë i thoshin se “nuk është e lehtë që t’u marrësh para njerëzve për t’i lënë pa ngrënë”, duke treguar kështu edhe njohjen e paktë të kësaj fushë asokohe, e cila tani ka evoluar, me numrin e klientëve që rritet çdo vit.

“Fillesat e sipërmarrjes ishin të vështira. Thosha: Kush do të vijë të paguajë para që të mos hajë. Veçanërisht shqiptarët, të cilët erdhën nga një periudhë postkomuniste që kanë vuajtur për t’u ushqyer. Por, mund të them me sigurinë më të madhe se çdo vit kemi rritje në punë, ecuri e cila frymëzon dhe bën që të shtohet përkushtimi. Mendoj se është një shërbim që ende nuk ka ngopje dhe ka treg, e po kërkohet edhe më shumë”, – tregon Blerina.

Nuk është e vështirë të jesh femër në sipërmarrje, pohon ajo, edhe pse natyra e biznesit të saj është e përshtatshme për një femër. Vështirësitë më të mëdha ajo i lidh me gjetjen e lëndës së parë organike dhe forcën e përshtatshme punëtore.

“Unë mund të listoj dy prej vështirësive më të mëdha të këtij sektori. E para, vështirësia e gjetjes së lëndës së parë organike. Ne vërtet i themi klientit dhe paguhemi që t’u ofrojmë ushqime të shëndetshme, por s’kemi siguri në Shqipëri për cilësinë e lëndës së parë ushqimore. Perime, mish, ushqime të tjera bio gjenden me vështirësi, këtu nuk ka kontroll, certifikim të duhur etj. Ndërsa çështjen e konkurrencës nuk e shikoj si vështirësi. Shpeshherë, njerëzit këtë profesion e identifikojnë me mua dhe televizioni më ka ndihmuar shumë për këtë. Një vështirësi tjetër është forca punëtore. E kemi hasur ndër vite, të gjenden njerëzit e duhur për një vend të caktuar është shumë e vështirë, që nga personat e aftë në kuzhinë, të gjesh punonjës të ndërgjegjshëm, të ndershëm, punëtorë. Ky është biznes shumë delikat, kërkon kujdes dhe pastërti absolute”, – tha ajo.

Blerina Bombaj tregon edhe se në rolin e saj si menaxhere dhe drejtuese ka zgjedhur gjithnjë të bëjë ekuilibrimin e punës dhe organizimin e saj, duke treguar se ka përfshirë edhe shumë pjesëtarë të familjes së saj. Ndërsa punonjësit ajo i konsideron si familje, tregon se në vitet e punës së bashku kanë arritur të krijojnë një ambient të rehatshëm, ku secili i di detyrat e tij.

Blerina thotë se njeriu e ka shumë të vështirë të jetë edhe shumë i mirë në karrierë, edhe në familje. “Nuk ekziston një ekuilibër perfekt”- thotë ajo, nëse do të bëhet diçka, do humbasë diçka tjetër. Por, kur i referohet fëmijëve të saj, tek të cilët po nis të projektojë të gjithë idetë dhe modelin e bizneseve të saj, thotë se “shpresojmë të mos humbim aq nga koha për familjen, fëmijët, sa të mos jenë të korrigjueshme”.

Të drejtosh “kokulur” në modë

Rezarta Skifteri, Drejtuese e Ateliesë së Modës “R&R”

Monitor 720

Rezarta, një figurë tashmë publike për një pjesë të madhe të publikut shqiptar, imazh i cili ndodhet (thuajse) pas çdo veshjeje të një spektakli të njohur por edhe për publikun e thjeshtë, konsiderohet si drejtuesja e një atelieje të njohur, por që punon e qetë dhe “kokulur”. Femër në karrierë, menaxhere e një atelieje dhe njëkohësisht punon çdo ditë me dizenjot e saj. Por, Rezarta është edhe nënë e përkushtuar, bilanc të cilin mundohet ta ketë nën kontroll.

Kur shikojmë atelienë e Rezartës, përshëndetjet e stafit të së cilës janë të ngrohta, bien në sy ngjyrat në zyrat e saj dhe komunikimi me stafin.

Rezartës i pëlqen ta quajë sipërmarrjen e saj thjesht atelie. Me stafin pohon se janë si një zinxhir, çdo hallkë e së cilës është e rëndësishme, pa secilën prej tyre, nuk ka produkt.

“Unë nuk mendoj që unë jam e parë dhe të gjithë janë poshtë meje. Kurrë nuk ka funksionuar kjo skemë në punën time. Mundohem të jem e thjeshtë dhe të jem ‘njësh’ me pjesën tjetër të stafit. Secili nga ne, ka pjesën e vet të realizimit. Unë bëj dizenjon fillimisht, por ajo s’merr jetë pa pjesët e tjera të realizimit deri te punimi përfundimtar”,- tregon Rezarta.

Kur e pyet se si është të jesh femër në një drejtim të caktuar, biznes të cilin e ka themeluar vetë nga zero, ajo thotë se më shumë se biznes, është profesion që bazohet në aftësi të lindura.

“Ndonjëherë kur njerëzit janë të lirë, jo të frustruar nga prindërit apo të orientuar në fusha ku ata ndihen mirë, personi e gjen vërtet fushën e vet, një profesion që e bën me pasion. Unë kam punuar shumë, për shumë vite i jam përkushtuar këtij profesioni për të qenë këtu që jam. Kur puna bëhet me shumë dashuri, arrihen rezultatet e kërkuara”,- tregon Rezarta, biznesi i së cilës ndër vite ka pasur rritje në volum kërkesash, klientësh dhe spektaklesh.

Por, edhe në këtë fushë ka një anë të errët të medaljes.

“Në Shqipëri është më e vështirë se jashtë, ku stilistët, dizajnerët arrijnë të bëhen sipërmarrës të mëdhenj, me staf të madh etj. Në vendin tonë, nuk kemi një treg aq të madh ku dizenjot e tua të materializohen për një treg më të gjerë. Ne punojmë për spektaklet televizive kryesisht, pasarelat dhe pjesa e njerëzve të thjeshtë që porosisin për evente familjare të ndryshme”, – tregon Rezarta, duke shtuar se profesione të tilla në vendin tonë kanë nevojë për një shtysë më tepër, për mbështetje e nxitje. Madje për konkurrencën, ajo pohon se pikërisht ekzistenca e këtij tregu kaq të vogël bën që konkurrenca të ndihet, sidomos te të rinjtë që duan të hapin biznes në këtë fushë.

Rezarta tregon se në një treg botëror do të kishte mundësi për të pasur sukses më të madh, megjithatë pohon se edhe investimi i bërë gjithë këto vite në Shqipëri është një element (bashkë me familjen) që e mban këtu.

Kur e pyet se si është të jesh njëkohësisht nënë në familje dhe drejtuese në biznes, ajo tregon se nuk lejon që “të më rrëshqasë nga duart, asnjë ditë; si në punë, si në familje”.

“Orët e punës që më kapin më tepër në atelie dhe orë më pak përkushtimi për familjen, më mbeten peng. Edhe pse ndonjëherë për hir të fluksit të punës”,- thotë ajo.

Megjithatë, nuk është e thjeshtë të jesh në drejtim, pasi të qenët femër të jep angazhime më të mëdha, por sipas saj, nuk ka hasur diskriminim. “Nuk e kam hasur dhe nuk e kam ushqyer. Gjatë gjithë jetës dhe punës sime, jam munduar të jem e fortë dhe me punë të tregoj gjithçka”, – thotë Rezarta

 Studimi, femrat në drejtim nxisin fitime më të larta

Në vitin 2014, Instituti i Kërkimeve Grant Thornton tregoi se në Europë, femrat në drejtim të kompanive të ndryshme kanë shënuar rritje në numër që nga viti 2004. Studimi tregon se Franca udhëheq për nga numri më i lartë, ndjekur nga Spanja dhe Suedia. Përmirësime janë shfaqur në Britaninë e Madhe dhe në Gjermani, ndërsa si total 36% e kompanive drejtohen nga femra.

Një tjetër studim, ai i Peterson Institute në SHBA në vitin 2015 ka zbuluar se femrat në drejtimin e kompanive nxisin rritjen e fitimeve më tepër se sa kur këto kompani drejtohen nga meshkuj. Ky studim analizoi 21 mijë kompani në 91 shtete dhe shifrat flisnin për një 6% fitim më të lartë.

I njëjti studim tregon se në botë, numri i femrave në drejtim të bizneseve të vogla dhe të mesme është në rritje të vazhdueshme, ashtu sikurse janë shtuar edhe industritë e ndryshme të profileve të kompanive.

Ndërsa sa u përket femrave më të fuqishme në biznes, Forbes tregon në rankimin e 2015-s se emrat në top-listë janë:

Sheryl Sandberg, drejtuesja e sektorit teknologjik në Facebook

Indra Nooyi, Ceo e Pepsi & Co

Irene Rosenfeld, drejtuese e Kraft

Virginia Rometty, Ceo e IBM

Ursula Burns, drejtuese e Kompanisë Xerox

Meg Whitman, drejtuese e eBay

Maria das Gracas Silva Foster, Petrobas

Marissa Mayer, CEO e Yahoo

Anne Sweeney, CEO Disney Media Network

Angela Braly, CEO e Wellpoint

/monitor/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kur-drejtojne-femrat/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala