Kur do të bëhet Kosova anëtare e OBSH-së?

Autori:Avdyl Pajaziti

Kosova nuk është anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Për tu bërë pjesë e saj, duhet që të aplikohet në këtë organizatë, derisa një gjë e tillë nuk është bërë nga institucionet e vendit.

Skender Syla, udhëheqës i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, e cila funksionon që nga viti 1998, i ka thënë Radios Evropa e Lirë , se Kosova për tu bërë anëtare e OBSH së, nuk duhet të plotësohet ndonjë kusht i veçantë, përpos marrjes së votave të nevojshme nga 194 shtetet anëtare.

“Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në OBSH, kjo nuk varet nga organizata, por nga shtetet anëtare e që janë 194 shtete. Për të qenë Kosova anëtare e OBSH-së procedurat janë që Kosova duhet aplikojë që të jetë pjesë e saj. Nuk ka ndonjë kusht të veçantë, derisa kushti i vetëm është marrja e votave të nevojshme të shteteve anëtare të OBSH së”.

“Më pastaj, kërkesa paraqitet në asamblenë e OBSH-së dhe varësisht prej numrit të votave që merr nga këto shtete bëhet ose jo anëtare. Por, kjo varet nga interesimi i institutcioneve të Kosovës nëse aplikojnë ose jo. Egzistojnë dy mundësi, aplikimi direkt në OBSH ose kur Kosova të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara, automatikisht bëhet pjesë e OBSH-së”.

Zoti Syla ka shtuar se si udhëheqës i zyrës së OBSH-së në Kosovë, nuk ka të drejtë të inicojë çështjen e anëtarsimit, pasi që kanë rol neutral ndaj statusit të Kosovës.

“Sa i përket qëndrimit të sekretariatit të OBSH-së sikundër edhe organizatat tjera të Kombeve të Bashkuara, pozita jonë është neutrale ndaj statusit të Kosovës, andaj ne nuk mund të inicojmë çështjen e anëtarësimit , pasi që kjo duhet rrejdhur nga autoritetet e qeverisë së Kosovës.

Zyra e OBSH-së është e pranishme në Kosovë që nga viti 1998 dhe pavarësisht që Kosova nuk kështë shtet anëtar i OBSH-së ne kemi dhënë kontribut të madh në sistemin e shëndetësisë”.

Ndërkaq Time Kadriaj nga Komisioni për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se si anëtare e komisionit, në bashkëpunim me zyrtarë relevant do të kontribuojnë, në mënyrë që Kosova të jetë pjesë e OBSH së.

“Mendoj se është një organziatë e rëndësishme dhe ne në disa takime që i kemi pasur edhe me ish ministrin, por edhe me ministrin aktual të shëndetësisë, është folur që Kosova të jetë pjesë e OBSH-së, por më pas nuk kemi pasur ndonjë kontakt për tu shqyrtuar kjo, dhe nuk e dimë si ka rrjedhë”.

“Ne si komision do të kontribuojmë në mënyrën tonë që Kosova të jetë pjesë e OBSH-së, pasi që do të kemi përfitime, ku në rast të shfaqjes së sëmundjeve me përmasa epidemike, të jemi pjesë e këtyre organizatave do të kemi përkrahje edhe më të madhe, ndonëse OBSH ka kontribuar prej vitesh në Kosovë”.

Sidoqoftë edhe pse Kosova nuk është anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, zyra e saj në Kosovë ka qenë e pranishme që nga viti 1998 dhe ka dhënë një kontribut të çmuar drejt avancimit dhe konsolidimit të sistemit shëndetësor kosovar.

Pavarësisht faktit se nuk është ende anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Kosovës iu ka dhënë mundësia të marrë pjesë në të gjitha konferencat ndërkombëtare dhe rajonale të kësaj organizate.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kur-do-te-behet-kosova-anetare-e-obsh-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala