Kundërkandidati numëron shkeljet në zgjedhjen e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare

Autori:Gazeta Fjala

Zgjedhjen e Fazli Gajrakut drejtor të bibliotekës kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, njëri nga kundërkandidatët e tij e cilëson si proces me tri shkelje.

Izet Abdyli, njëri nga gjashtë kandidatët për drejtor, pretendon se ka pasur shkelje procedurale, ligjore e konflikt interesi. Për këtë Abdyli i është drejtuar me ankesë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si institucion që ka hapur konkursin për pozitën e kreut të BKK-së, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Testi me shkrim është mbajtur pa praninë e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, e që është në kundërshtim me Rregulloren për rregullat dhe procedurat e vëzhgimit për emërimin e nëpunësve civilë të nivelit drejtues”, ka shkruar Abdyli në pikën e parë të ankesës. Në pikën e dytë të ankesës, Abdyli pretendon se janë shkelur edhe kriteret e konkursit. “Kandidati i përzgjedhur ka vetëm 17 muaj përvojë pune si udhëheqës departamenti e jo katër vjet siç kërkohet me konkurs”, shkruhet në ankesë.

Tutje në pikën e tretë të ankesës Abdyli ka shkruar se ka edhe konflikte interesi. Në momentin e hapjes së konkursit, Gajraku ka qenë pjesë e Këshillit Drejtues të BKK-së, gjë që, sipas ankuesit, i bie që Gajraku t’ia ketë hapur konkursin vetes për drejtor.

Sipas zyrtarëve të MKRS-së, ankesa do të shqyrtohet ashtu siç e përcakton ligji.

Krejt procedurat e përzgjedhjes së drejtorit të BKK-së janë kryer derisa Ministria e Kulturës ka një rast të hapur në Gjykatën Themelore në Prishtinë lidhur me çështjen e ish-drejtorit, Bedri Zyberaj, i cili gjatë vitit të kaluar dy herë ishte emëruar në këtë pozitë me konkurse që u vlerësuan të jashtëligjshm/Koha.net

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kunderkandidati-numeron-shkeljet-ne-zgjedhjen-e-drejtorit-te-bibliotekes-kombetare/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala