Kumanovë: Rrethohet lagja e banuar me shqiptar, plagosen 5 policë

Autori:Avdyl Pajaziti

Pesë policë janë plagosur dhe nuk dihet sa është numri i viktimave nga përleshjet e mëngjesit në Kumanovë mes forcave policore maqedonase dhe kinse një grupi të armatosur.
Jozyrtarisht mësohet se policët e plagosur janë jashtë rrezikut për jetë dhe gjenden në Spitalin e Kumanovës.

Të gjitha hyrje-daljet në këtë qytet janë të bllokuara nga policia, ndërsa fluturojnë edhe helikopter të ushtrisë mbi Kumanovë.

Sot në orët e hershme të mëngjesit në lagjen ”Tode Mendoll” të Kumanovës ka filluar një përleshje e armatosur në mes të forcave të armatosura maqedone dhe një grupi tjetër të paidentifikuar deri më tani.

Nga disa shtëpi po shfaqet tymi dhe zjarri në lagjen e banuar me shqiptarë në Kumanovë.

Bëhet e ditur për dy tre shtëpi nga ku po del tymi dhe raportohet për dëme të mëdha edhe në shtëpi tjera, informon.

Policia nëpër këtë lagje të njohur si Lagja e Trimave përmes megafonit po bën thirrje që qytetarët të mos dalin rrugëve. Nga rrjetet sociale informohet për të dhëna të ndryshme që nuk janë zyrtare.

Policia po vazhdon të jetë e pranishme me forca të mëdha në Kumanovë.

Nuk po lejohen ekipet e gazetarëve të hyjnë në këtë zonë.

Po ashtu banorët theksojnë se shtëpitë e tyre janë dëmtuar nga plumbat dhe se ata janë strehuar në ambiente më të sigurta.

Nga informacionet e fundit për INA bëhet e ditur se janë ndaluar të shtënat e fuqishme në Kumanovë, por ka disa të shtëna sporadike.

Banorë të lagjes së njohur të “Trimave” ku janë koncentruar forcat e mëdha policore deklaruan për INA se për momentin janë ndaluar të shtënat, por vazhdon prania e shtuar policore.

Mbi qiellin e qytetit, sidomos në këtë pjesë po fluturojnë helikopterë ushtarak dhe të policisë.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kumanove-rrethohet-lagja-e-banuar-me-shqiptar-plagosen-5-police/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala