Kujdes në trafik!

Policia e Kosovës thekson se referuar kushteve atmosferike dhe me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në vend, ngritjes së sigurisë në komunikacionin rrugor, tani gjatë sezonit të dimrit do të ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme në gjithë territorin e vendit, për të krijuar një qarkullim më të sigurt në komunikacionin rrugor për të gjithë qytetarët.
Policia e Kosovës duke ditur se gjatë sezonit të dimrit për shkak të kushteve atmosferike, të reshurave të borës dhe zvogëlimit të dukshmërisë në trafik, në të gjitha akset rrugore ka shtuar prezencën e njësiteve të trafikut në rrugë, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në komunikacionin rrugor.
Policia vazhdon të apeloj tek të gjithë ngasësit e automjeteve dhe pjesëmarrësve ne trafik që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, të respektojnë shenjat e trafikut, t’iu përshtaten shpejtësisë së lejuar me shenjat e trafikut, t’iu përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion, në të kundërtën do të merren masa ndëshkuese ndaj gjithë shkelësve të ligjit.
Sa i përket gjendjes së rrugëve, të gjitha rrugët konsiderohen të kalueshme, por disa rrugë në vise malore si rruga Pejë-Kullë dhe ajo në drejtim të pikës kufitare Mutivodë, konsiderohen të kalueshme, por pjesërisht të vështirësuara për qarkullim..