Ku të investoni në bujqësi?

Autori:Zekirja Shabani

Investimet në bujqësi, alternativë, trend dhe sfidë për sukses. Interesi për të investuar në bujqësi duhet të shkojë deri aty sa të mos tjetërsojë origjinalitetin tonë në prodhimin bujqësor e blegtoral. Çdo tentativë përtej kësaj rrezikon qëndrueshmërinë e investimit.

Ismail Beka, nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (GIZ), tregon për alternativat e investimit në Shqipëri.

Veçanërisht dy-tre vitet e fundit ka mjaft biznesmenë shqiptarë, që në fushat e tyre të veprimtarisë, kanë suksese dhe kanë krijuar kapitale të lira, po synojnë të gjejnë rrugë të reja për të investuar kapitale, pasi në fushat ku ata veprojnë nuk kanë më të njëjtën dinamikë investimi. Këtu bëjnë pjesë, në radhë të parë ndërtues, të cilëve u është ulur dinamika e ndërtimit, për hir të ngopjes së tregut të banesave, vështirësive të marrjes së lejeve të ndërtimit, etj.

Ndër alternativat që ata zgjedhin janë kryesisht fusha e bujqësisë, kryesisht investime në perime, vreshta e pemëtore dhe mbajtje të blegtorisë, përfshirë edhe investime në industritë përpunuese të ushqimeve.

Në fakt, po të shikosh tregun ushqimor shqiptar, ku më shumë se 700 milionë euro ushqime importohen çdo vit, apo ka edhe një tendencë në rritje të eksporteve të produkteve bujqësore në mbi 110 milionë euro në vit, investimet në bujqësi do të jenë në drejtimin e tyre kur ato do të jenë të orientuara mirë dhe me plane të sigurta biznesi.

Një arsye më shumë është fakti që sot është më e lehtë të marrësh leje ndërtimi për ngritje objektesh të infrastrukturës bujqësore në fshat dhe “potencialisht” ka edhe fonde donatorësh dhe të shtetit shqiptar që mbështesin me grante pjesë të rëndësishme të investimit, apo ulje të normës së interesit bankar kur merr kredi nga shteti. Pra, në përgjithësi, ka një frymë pozitive mbështetëse për investime në bujqësi.

Faktor tjetër është që këta investitorë kanë edhe burime financiare, si dhe fuqi ndërtuese, çka janë të pamundura për një fermer në fshat.

Por, për të arritur një biznes të suksesshëm, nuk mjafton të kesh vetëm para, sidomos në bujqësi. Bujqësia dhe blegtoria zhvillohen në natyrë dhe varen shumë nga kushtet natyrore dhe risku i tyre është më i lartë se çdo biznes tjetër.

Çdo biznesmen ka të drejtë të marrë vetë vendimin për të investuar në bujqësi, por ajo që është më e këshillueshme është të bazohet jo vetëm te paratë, apo te grantet potencialisht të mundshme të shtetit, por te një model projektesh të suksesshme.

Kur fillon sot një investim për një fermë intensive bujqësore, sera, vreshta, blegtori, bimë mjekësore etj., duhet të vlerësosh mirë konkurrencën në treg dhe kërkesat e sotme të tregtisë së lirë në nivel rajonal e europian, treg në të cilin ne sot jemi të hapur, për sa u përket importeve, por ende shumë të kufizuar për sa u përket eksporteve.

Shumë sipërmarrës nisen për të investuar vetëm duke parë njëri-tjetrin. P.sh., nëse dikush blen dhi alpine, e ndjekin dhe të tjerët, por që nga koncepti, ky investim e humb thelbin. Kur e merr dhinë alpine e çon në Myzeqe apo zonat bregdetare, nuk është komode, se ajo është “dhi alpine”.

Dukuria e dytë është se po investohet në importin e kafshëve racore jo vetëm lopë, por edhe bagëti të imta, kryesisht të bazuara në rritje stallore me ushqim të koncentruar dhe duke mos e bazuar te koncepti që mbajtja e blegtorisë në regjim stallor është absolutisht e lidhur me tokën. Nëse nuk je i lidhur me prodhimin e ushqimit për blegtorinë në tokat bujqësore pranë komplekseve blegtorale, investimi mund të rezultojë me kosto të lartë dhe të mos jetë fitimprurës.

Vërtet orientimi bazë është prodhimi blegtoral, por së pari duhet menduar të garantosh prodhimin bujqësor, që fillon që nga sigurimi i tokës e deri te prodhimi i ushqimit. Nëse importon ushqimin, kashtën dhe drithin, atëherë investimi mund të rezultojë me kosto të shtrenjtë dhe pa vlerë.

Ndaj, në këto kushte, është e domosdoshme asistenca teknike e kualifikuar. Këta sipërmarrës, që kanë fuqinë e investimit, duhet të kenë asistencë teknike dhe informacion më të detajuar dhe profesional, sesa është sot shërbimi këshillimor, në mënyrë që të përshtatin investimet. Duhen njerëz të aftë të biznesit agroushqimor që t’i këshillojnë. Është si dikush, që ka para dhe do të bëjë një vilë ta ndërtojë vetë atë, pa arkitektin.

Nëse në Shqipëri, mundësitë janë shumë herë më të mëdha te rritja e bagëtive, s’do jetë gjithnjë racionale të investosh për bagëtinë e imët të futet në stallë.

Një tjetër shembull i investimeve të gabuara po vërehet aktualisht në blegtori. Shumë njerëz rikonstruktojnë godinat e vjetra të stallave që kanë qenë me teknologji jofunksionale në kushtet e klimës që ka Shqipëria, pasi janë ndërtuar me struktura të rënda, kur në fakt, klimës shqiptare i përshtaten strukturat e lehta ndërtimore dhe me dalje të bagëtive për shumë kohë në tokat bujqësore përreth stallave.

Ndaj kërkohen shumë mendime, studime dhe eksperimentime, në mënyrë të kemi sa më pak shembuj që të kthehen në negativë.

Raste të tjera të investimeve edhe nga biznese janë në fushën e bimëve mjekësore. Kanë investuar shumë njerëz në bimë mjekësore, si p.sh. sherebela dhe po marrin fara nga jashtë por kjo është shumë e gabuar, sepse po humbasin autenticitetin dhe parametrat cilësorë të këtij produkti.

Ndonjëherë, investitorët priren nga grantet dhe fillojnë të ndërtojnë pa shqyrtuar mirë alternativat.

Është shumë e rëndësishme që ata të shfrytëzojnë asistencën teknike.

Një tjetër problem është edhe mungesa e informacionit, që është ose i vonuar, i pamjaftueshëm, apo me një nivel vërtetësie që lë për të dyshuar.

Gjithsesi, bujqësia është një fushë ku mund të investohet, por duhet menduar mirë, edhe duke shfrytëzuar kapacitetet ekzistuese dhe bizneset duhet të mendojnë që të jenë sa më konkurruese. Ka shumë industri që shfrytëzohen pak, ndaj sipërmarrësit mund të orientohen te segmentet ekzistuese. Për shembull, industria e qumështit shfrytëzohet jo më shumë se 25%, po kështu industria e vajit të ullirit, apo e industrive të konservimit të perimeve dhe të verërave.

Doja të sillja nëpërmjet kësaj analize të shkurtër edhe një mundësi tjetër të potencialit shqiptar të agrobiodiversitetit, duke e konsideruar “Bujqësia Ndryshe”.

Edhe pse përbën më pak se 0,3% të kontinentit europian, Shqipëria përmban 30% të florës e faunës së tij. E pozicionuar në një lartësi mesatare prej më shumë se 700 metra (dy të tretat e vendit janë zonë malore), Shqipëria është e veçantë krahasuar me shumë vende të tjera europiane, për larminë e papërsëritshme të biodiversitetit.

Banorët e zonave malore e shfrytëzojnë një pjesë të madhe të biodiversitetit për të siguruar të ardhura ekonomike. Prodhimi bujqësor i fermave bazohet kryesisht në mbarështimin e blegtorisë dhe kultivimin e drithërave, perimeve dhe frutave, duke ruajtur traditën e tyre, që edhe për të ardhmen kanë një vlerë të padiskutueshme. Fermerët i kanë të kufizuara mundësitë për rritjen sasiore të prodhimeve, por kanë mundësi të shtojnë të ardhurat, duke rritur vlerën e shtuar të prodhimit nëpërmjet përpunimit të tyre, si produkte cilësore, natyrale.

1-Prodhimi blegtoral, kryesisht me bagëtinë e imët, me racat lokale autoktone dhe me mbajtje në kullotat alpine, përbën potencialin më të madh ekonomik për banorët e alpeve. Rreth 35% e bagëtive të imta të Shqipërisë (prej 2,6 milionë krerë –1,8 milionë dele dhe 0,8 milionë dhi) janë në zonën malore të Veriut. Racat e pastra lokale të bagëtive janë përshtatur me klimën dhe janë më rezistente ndaj sëmundjeve. Të ardhurat për familjet rriten nga cilësia e përpunimit të produkteve, jo vetëm me metoda moderne, por kryesisht duke ruajtur dhe duke zhvilluar traditën.

2-Mjalti nga zona e Alpeve ka shije dhe vlera të larta, si pasojë e shumëllojshmërisë së luleve natyrale. Produkt i veçantë dhe mjaft i kërkuar në treg është mjalti i luleve të gështenjës, tipik për zonën e Tropojës dhe Shkrelit.

Rritja e numrit të bletëve jo vetëm shton prodhimin e mjaltit për treg, por nga pjalmimi i luleve që realizojnë bletët, ndikon direkt edhe në rritjen e prodhimit të frutave dhe prodhimeve të tjera bujqësore.

3-Bimët mjekësore janë prodhime të pasura lokale të Alpeve – që eksportohen në tregjet globale europiane dhe të SHBA-së. Bimët janë prodhimi më i rëndësishëm i eksporteve shqiptare bujqësore. Shqipëria eksporton rreth 11.000 tonë në vit me një vlerë prej rreth 25 milionë euro dhe krahas Bullgarisë bën pjesë në eksportuesit më të rëndësishëm të lëndëve të para bazë të bimëve mjekësore. Tipari dallues i eksporteve shqiptare është shumëllojshmëria dhe fakti që 90% e tyre janë të mbledhura në natyrë.

4-Plantacionet më të mëdha të gështenjës, ose 65-70% e sipërfaqes së përgjithshme të gështenjave janë në zonën veriore të alpeve (në Tropojë, Reç, në Malësinë e Madhe e Pukë). Tregu i gështenjës si frutë dhe miell është në rritje si brenda dhe jashtë vendit. Fruta të tjera: arra dhe lajthia janë gjithashtu në sipërfaqen më të madhe në zonat e alpeve.

5-Vera, prodhuar nga rrushi Kallmet dhe varietete të tjera autoktone shqiptare, të njohura herët mund të konsiderohet si krenaria e verës shqiptare. Vreshtarët dhe kantinat duan më shumë përkrahje për të prodhuar verë cilësore që të konkurrojë me verërat e importit.

6- Turizmi i qëndrueshëm ekologjik është një sintezë e zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes se agrobiodiversitetit. Alpet shqiptare janë tashmë të njohura dhe po rritet ndjeshëm numri i turistëve të huaj, që vijnë dhe shijojnë mrekullitë e natyrës dhe mikpritjen e rrallë të malësorëve, që shtëpitë e tyre i kanë kthyer në bujtina dhe së bashku kanë pritur gjatë këtij viti më shumë se 50.000 turistë, nga të gjithë vendet e botës. Mikpritja e shoqëruar me prodhime lokale e gatime tipike, e rrit më tej perspektivën e një turizmi të qëndrueshëm dhe rritjen e të ardhurave ekonomike të banorëve. Një turist harxhon mesatarisht 25 euro në ditë, rreth 80% e kësaj shume mbetet në fshat. Jo vetëm bujtinat dhe hotelet përfitojnë nga turistët, por edhe fermerët që shesin produktet e qumështit dhe perimet, punishtet e djathit, taksistët dhe udhërrëfyesit.

Zhvillimi i qëndrueshëm i zonave malore është e vetmja rrugë për banorët e këtyre zonave, por edhe për të gjithë vendin. Prodhimet agroushqimore tipike nga zonat e alpeve, si ato të kultivuara dhe ato natyrale, kanë jo vetëm traditë, por edhe një perspektivë të padiskutueshme, ndaj edhe duhet të kenë një mbështetje të veçantë.

Vlera e shtuar është tek autenticiteti, cilësia, shija, natyraliteti, puna dhe jo te shfrytëzimi pa kriter i natyrës dhe i burimeve që ofrojnë malet.

Ndërtimi i rrjeteve të marketingut për këto lloje produktesh, duke bërë pjesë në zinxhirin e vlerës së shtuar të fermerëve të vegjël, bën që të arrish suksese dhe do të kesh të ardhme.

Krahas interesit të sipërmarrësve të mëdhenj për të investuar në bujqësi, duhen ruajtur ekuilibrat, në mënyrë që të mos dekurajohet fshatari i vogël.

Në Shqipëri, për hir të strukturës së fermave dhe të kulturës bujqësore nuk mund të përqendrohet baza e mbështetjes vetëm tek ata që investojnë në ferma të mëdha, por dhe të vegjlit duhet të jenë pjesë e zinxhirit të ushqimit.

Qeveria duhet të ruajë ekuilibrin që të mos bëhet përjashtues për prodhuesin e vogël. Duhet të ketë dy skema mbështetjesh, së pari për investitorët e mëdhenj dhe së dyti për fermerët e vegjël, pasi nuk mund të zhvillojmë bujqësi po nuk u ndihmua fermeri i vogël. /Monitor/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ku-te-investoni-ne-bujqesi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala