Ku është Agim Madani? Pse policia s’po mund ta kap atë

Autori:Avdyl Pajaziti

Kanë kaluar më shumë se tre muaj kur Policia e Kosovës ka publikuar fotografinë e Agim Medanit si i kërkuar dhe i dyshuar për veprën penale “Vrasje në Tentativë”. Nga ajo kohë, policia ka zhvilluar aksion të gjerë në rajonin e Pejës ku dyshohet se është lokalizuar i apostrofuari. Por ai ende nuk është kapur. Madani vazhdon të terrorizojë qytetarët.

Policia e Kosovës është ende në kërkim të shtetasit nga Shqipëria Medani, 50 vjeç me origjinë nga Tropoja e Vjetër. I shumë rrezikshmi ,Agim Medani, nuk po mund të bie assesi në duart e policisë edhe pse ata janë duke zhvilluar disa veprime të bazuara në informacionet e pranuara për të. Këto janë konfirmuar nga Policia e Kosovës për Gazetën Express, të cilët kanë refuzuar të tregojnë detaje tjera në aksionin e kapjes.

“Personin ne fjalë (Agim Medani) Policia e Kosovës është duke e kërkuar dhe ka ndërmarrë disa veprime të bazuara ne informacionet e pranuara për të njëjtin”.

Por sipas Policisë së Kosovës secili i cili bie ndesh me ligjin do të përballet me organet e drejtësisë. E njëjta sipas tyre do t’i ndodhë edhe atij.

“Një nga detyrat dhe përgjegjësitë e Policisë së Kosovës është edhe parandalimi, hetimi, zbulimi I veprave penale dhe kryesve të tyre, prandaj PK, është ne funksion te zbatimit te ligjit dhe secili që bie ndesh me ligjin do përballet me organet e drejtësisë”.

Javë më parë ishte raportuar se Agim Medani dyshohej të jetë në fshatin Gurakoc të Istogut dhe se Policia e Kosovës kishte filluar aksionin qysh në mëngjes për kapjen e tij. Por edhe ky aksion, si vazhdë e aksioneve të mëhershme, rezultoi i pasuksesshëm për kapjen e Medanit.

Nga Gurakoci, qytetarët e Lubozhdës së Istogut ishin ankuar në redaksinë e Gazetës Express se ai kishte ardhur në fshatin e tyre për të kërkuar lëmoshë. E për këtë, Policia e Kosovës parapëlqeu të mos flasë.

Agim Medani është i njohur tani më për vjedhje dhe pjesëmarrje në disa sulme ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Me datë 14.07. 2015, rreth orës 03:00 në fshatin Gorozhdec të Komunës së Pejës, kishte sulmuar patrullën policore të Stacionit Policor në Pejë.

Ajo që e bën edhe më të rrezikshëm këtë njëri, është fakti se di të përdorë mirë armën. Edhe polici ,Arben Daci, që ishte ballafaquar me të në ngjarjen e 5 shtatorit, kur u qëllua me dy plumba nga Madani e ka përshkruar si shumë të rrezikshëm.

Por Agim Medani është në kërkim edhe nga shteti shqiptar.

Ai ishte dënuar për grabitje, vrasje në kokë dhe ishte nën akuzë gjithashtu për përdhunimin e mbesës së tij (vajzës së motrës), dhe ishte arratisur nga burgu i Shënkollit. /Gazeta Express/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ku-eshte-agim-madani-pse-policia-spo-mund-ta-kap-ate/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala