Kthehet postblloku në Brezovicë

Autori:Zekirja Shabani

Ish ministri i Mjedisit, Dadan Gashi akuzon Qeverinë e Kosovës se i është nënshtruar dhe përulur ndaj, sic thotë ai, ekstremistëve serbë. Kjo pasi sipas tij, Kryetari i Komunës së Shtërpcës ka ngritur postbllok në hyrje të qendrës turistike në Brezovicë për ti penguar qytetarët që të vizitojnë këtë qendër.

“Përulja e kësaj qeverie ndaj ekstremisteve serb manifestohet edhe me një fakt tjetër skandaloz: vitin qe shkoi, me vendimin tim u rrënua postblloku ilegal i kryetarit të komunës së Shtërpcës Bratislav Nikoliq ku qytetarët e Kosovës të cilët vizitojnë shtigjet e skijimit dhe bjeshkët e Brezovicës ilegalisht plaçkiteshin me gjobë hyrëse në Parkun Nacional nga ky i fundit. Parku është pronë e Shtetit të Kosovës dhe si i tillë është i lirë të frekuentohet pa asnjë pagese e pengese nga qytetaret e sajë. Duke e pare paaftësinë e qeverisë për të vepruar kundër Jablanoviqit, edhe kryetari i Shtërpcës vendosi të mos përfillë vendimet e shtetit dhe rivendosi postbllokun dhe plaçkitjet e qytetareve pa u penguar nga qeveria e re. Kjo paraqet vepër të rëndë penale dhe përdhosje te institucioneve të vendit. Ashtu siq paraqet shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe dhunim të shtetit fakti që kryetari i Shtërpces që disa jave vepron si kryetar i Shtërpcës edhe si i emëruar i qeverisë së Beogradit! Pra njëkohësisht ky zotëri i shërben sistemit paralel të Beogradit e nganjëherë edhe Prishtinës”, shkruan Gashi.

Sipas tij, Qeveria pra ka dy detyra: ta largojë prapë postbllokun ilegal “dhe te nis procedurat penale ndaj kësaj cuberie klasike dhe të filloje procedurën e shkarkimit të kryetarit për shkelje të rënde të Kushtetutës ashtu siç parashihet me po të njëjtën Kushtetute dhe ligjin për qeverisjen lokale!”

Beogradi sipas tij edhe këtu me postblloqe e emërime kryetarësh po e uzurpon pronën e Kosovës (projektin e Brezovicës) njëjtë siç i vendosi kthetrat mbi Trepçën!

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kthehet-postblloku-ne-brezovice/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala