Kthehet Lista Serbe

Autori:Zekirja Shabani

Lista Serbe përfundimisht do të kthehet në institucionet e Kosovës javën e ardhshme.

Këtë e ka konfirmuar për Radio Dukagjinin zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, i cili tash e sa kohë është duke negociuar me zyrtarët e kësaj Liste për rikthimin e tyre në Kuvend dhe Qeveri.

Gecaj në një intervistë për Radio Dukagjinin ka rrëfyer tërë procesin e negocimit dhe rikthimin e tyre.

“Unë vazhdimisht jam në konsultime me përfaqësuesit e Listës serbe dhe besoj e shpresoj që javën e ardhshme do të kemi disa lëvizje serioze në këtë drejtim, pra rikthimit të tyre dhe përmbushjes së obligimeve që i kanë marrë në kohën kur edhe ata kanë bërë betimin”, tha ai.

Gecaj ka konfirmuar se Lista nuk ka vënë kushte për rikthim, duke vlerësuar se kushtet e Listës Serbe, por edhe të gjithë atyre që janë në bashkëqeverisje, i kanë kryer gjatë marrëveshjeve për koalicion.

“Çështjen e kushteve e kemi rregulluar në kohën kur kemi bërë marrëveshjen e koalicionit qeverisës në atë kohë ne kemi negociuar si me partnerin tjetër qeverisës PDK, me Listën Serbe por edhe me Grupin 6 plus, kështu që kushtet e tyre për të hyrë në qeverinë e Kosovës ne i kemi të nënshkruara në atë marrëveshje dhe ne pranojmë që edhe në të ardhmen jemi të gatshëm se mund të lindin çështje të reja që ne duhet t`i shqyrtojmë, megjithatë ata tani duhet të vendosin…”, tha Gecaj.

Ky zyrtar i Qeverisë së Kosovës i pyetur nëse zyrtarët e kësaj partie serbe mund të kthehen vetëm për të votuar Gjykatën speciale dhe tërhiqen prapë, tha se nuk beson se kjo mund të ndodh, por që zyrtarët e Listës Serbe do të rikthehen njëherë e përgjithmonë në institucionet e vendit.

“Unë besoj që po, me siguri të plotë nuk mund të them, por jemi në kontakte besoj që javën që po vjen do të ketë lëvizje pozitive, unë shpresoj se po”, tha ai.

Rikthimi i Listës serbe në institucionet e Kosovës pa dyshim se vjen edhe pas konsultave që kanë pasur direkt me kryeministrin e Serbisë, Aleksander Vucic dhe drejtorin e Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kthehet-lista-serbe/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala