Kthehet Haradinaj

Autori:Avdyl Pajaziti

Rreth orës 00:30 të mesnatës ka mbërritur në aeroportin e Rinasit në Tiranë aeroplani nga Lubjana me të cilin udhëtonte kreu i AAK-së Ramush Haradianj, i cili prej disa ditësh u ndalua nga shteti slloven, për disa akuza të ngritura qysh herët nga Serbia kundër tij.

Ai u prit në aeroport me duartrokitje nga simpatizantë dhe mbështetës të tij të cilët kishin dalë qysh herët për ta pritur.

I ka takuar të gjithë me radhë dhe më pas i është drejtuar mediave për të thënë dy fjalë se çfarë i ndodhi, por edhe për të përcjellë dy mesazhe qeveritarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, se çfarë qëndrimi duhet të mbajnë në të tilla raste.

“Faleminderit që keni dalë kaq vonë, dhe faleminderit të gjithë qytetarëve dhe shqiptarëve që e kanë ndjek këtë situatë. E kaluam edhe këtë pengesë të padrejtë edhe ofenduese. Ishte një lojë e ndytë. Në Slloveni më kanë ndalu, më kanë penguar në qarkullim të mëtej me një urdhër-arrest të një krijese që s’egziston më; Serbi e Crna Gora i vitit 2004. Në rast se kjo është diçka në rregull ose e ligjshme atëherë unë nuk di pse njerëzit e respektojnë ligjin. Krijesa nuk ekziston më Serbi-Crna Gora, është viti 2004 kur është lëshuar ai fletarrest, pas 2004-ës kanë ndodh dy Haga-t, jam liruar. Pra është një lojë e ndytë, diçka e padrejtë. Kkështu e kam cilësuar unë”, tha Haradinaj i sapokthyer në Tiranë nga Sllovenia.

Duket së më shumë se sa prej Sllovenisë është ndier i ofenduar nga qënhedrimi d deklaratat e bëra, prej kryeministrit Mustafa, presidentes Jahjaga, por edhe prej telefonatës së munguar të kryeministrit Rama.

“Njëkohësisht e kam cilësuar të padrejtë edhe deklarimin e kryeministrit Mustafa. Ka qenë gabim që ka thënë në bazë të ligjit. Në rast se për të është ligj urdhër-arresti i Serbisë e Crna Gorës, le të shkojë edhe ai atje, sepse ajo nuk ekziston më, nuk ka ligj. Ligj ka qenë kur në emër të vendit tim Kosovës iu kam përgjigj tribunalit ndërkombëtar, edhe atëherë jemi lavdëruar se Kosova i kreu obligimet. Atëherë ka qenë ligj, ndërsa kjo që ka ndodhur tash nuk ka të bëjë me ligj. Presidentja Jahjaga ka bërë edhe ajo një gabim së fundmi që e pashë në deklaratë që thotë falënderojmë Slloveninë për lirimin e Haradinaj. Le ta falënderojë për ndonjë gjë personale të vetën, por jo për Haradinaj. Se çka është lirimi? Lirimi është pasi më kanë ndaluar në mënyrë të padrejtë, pasi më kanë ofenduar, pasi më kanë detyruar për të kaluar nëpër ato që kam kaluar. Më paskan liruar, ça kanë pas me bë tjetër. S’kanë pas ku me më çu, kanë pas me më liru se jam i vendit temë. Kemi më i mësu me ekzistencën tonë të gjithë në Ballkan. Shqiptarët ekzistojnë, jemi 7 milion. Ne kemi ekzistuar gjithnjë, por kanë menduar se jemi të pavlefshëm. Duhet ta dinë që kurrkush nuk mund të luajë me shqiptarët”, tha më tej Haradinaj.

Dhe në fund thotë se zgjodhi të vinte nga Tirana, sepse e kishte marrë malli për të, por për asnjë arsye tjetër, ndërsa i kujton Sllovenisë dhe të gjithë shteteve të tjera se duhet të mësohen në Ballkan me ekzistencën e 7 milionë shqiptarëve.

“Kanë qenë shumë dobët në zhvillime të tjera, kanë qenë tepër të dobët në këtë proces. Po t’i kish ndodhur një deputeti të Sllovenisë ai kish thirr ligjet e shtetit të vet, kish thirr të drejtat e veta edhe kish kërkuar njerëzit e vet. Këta ose janë shpirtra të shitur ose kanë probleme me veten. Unë s’kam lëshuar ndonjë dron mbi Slloveni. Unë nuk kam bërë kurrë diçka ofenduese për Slloveninë, por unë jam ofenduar. Ofendimi vjen se më ka thënë me fletëarrest Serbi Crna Gorë. Hapi ligjor është se ne jemi shqiptarë. Jemi të gjithë në Ballkan dhe duhet me u mësu të gjithë me ne. Duhet me dit që duhen me na respektu. U ktheva nga Tirana se më kish marrë malli për Tiranën”, tha më tej Haradinaj.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kthehet-haradinaj/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala