Kryetarja e KQZ-së: Jemi gati për zgjedhje

Autori:Zekirja Shabani

Zgjedhjet e parakohshme që po kërkohen nga opozita, nga analistët konsiderohen si të rrezikshme të mbahen në këtë situatë të acaruar politike.

Sipas tyre, fillimisht duhet t’u jepet zgjidhje dilemave që janë ngritur nga opozita, e pastaj të shkohet në zgjedhje. Në KQZ thonë se janë të gatshëm t’i organizojnë zgjedhjet kurdo që ato shpallen, por theksojnë se nuk ka ndonjë shenjë se mund të ketë zgjedhje.

Kërkesën për zgjedhje të parakohshme, opozita tashmë po e thotë me zë të lartë. Këtë e sheh si mënyrën e vetme për dalje nga kriza politike. Por në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, gjithçka është duke funksionuar sikur ky të ishte një vit jozgjedhor.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka thotë se është obligim kushtetues i KQZ-së t’i organizoi zgjedhjet kurdo që ato shpallen, por thekson se nuk ka ndonjë shenjë se ato mund të mbahen këtë vit dhe se nuk është kontaktuar nga askush për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

“Jo askush as nuk na ka kërkuar, as nuk na ka kontaktuar, as nuk jemi duke u përgatitur asgjë. Jemi normal duke u sjellë sikur në çdo vit jo-zgjedhor”, tha Daka për Radio Kosovën.

Sidoqoftë, opozita vlerëson se është çështje ditësh kur Qeveria do të dorëzohet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Frashër Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se s’ka zgjidhje tjetër.

“Nëse Qeveria nuk pranon t’i tërheq marrëveshjet, atëherë normalisht që nuk ka zgjidhje, duhet të shkohet në zgjedhje. Dhe për këtë punë Qeveria mund ta shtyjë edhe ndonjë ditë, por nuk mundet ta shtyjë pa kufi këtë çështje dhe normalisht që do të dorëzohet”, tha Krasniqi.

Analistët vlerësojnë se është e rrezikshme të shkohet në zgjedhje në këtë situatë të acaruar. Imer Mushkolaj thotë se në zgjedhje nuk duhet të shkohet pa u zgjidhur çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi. Ai thotë se këto dy çështje nuk duhet të përdoren në zgjedhje, ngase në zgjedhje shkohet për çështje tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve.

“Në zgjedhje mund të shkohet sipas meje, mund të shkohet vetëm nëse paraprakisht iu jepet përgjigje këtyre dy dilemave të ngritura nga opozita, demarkacionit dhe asociacionit. Konsideroj se shkuarja në zgjedhje pa iu dhënë përgjigje këtyre dy dilemave nuk është e dobishme dhe vetëm sa mund të krijojë njëfarë lloj reprize të situatës në të cilën gjendemi aktualisht”, tha Mushkolaj.

Ndryshe, kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme është ngritur me zë të lartë sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e cila ka konstatuar se kjo marrëveshje nuk është tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës.

Sidoqoftë, opozita vazhdon ta marr këtë përgjigje nga kreu i Qeverisë Isa Mustafa sa i përket mundësisë së zgjedhjeve. “Në zgjedhje shkojmë në vitin 2018 dhe për këtë jam shumë i bindur”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kryetarja-e-kqz-se-jemi-gati-per-zgjedhje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala