Kryetari i Ferizajt i vë drynin komunës

Autori:Avdyl Pajaziti

Organizata joqeveritare AVONET, e cila monitoron komunën e Ferizajt, ka reaguar sot ndaj mbylljes së dyerve të komunës që është bërë sot për qytetarët për rreth 1 orë.

Përmes një komunikate për media AVONET thotë se në asnjë mënyrë nuk po mund ta kuptojnë se çfarë ka ngjarë me komunën e Ferizajt, e cila kjo e fundit kishte vendosur që të mbyll dyert për qytetarët e saj.

“Sot, komuna e Ferizajt ndërmjet orës 08:05 deri në 09:00 ka mbyllur dyert e saj pa dhënë asnjë asnjë sqarim apo pa lajmëruar përmes njoftimit opinionin ferizajas. Komuna e Ferizaj nuk ka të drejtë që të mohon të drejtën e qasjes së qytetarëve të saj për të realizuar kërkesat e tyre në shërbimet që ofron komuna”, thuhet në reagimin e AVONET.

Kjo organizatë joqeveritare e cilëson këtë veprim si skandaloz dhe se sipas tyre është në kundërshtim me Ligjin mbi vetëqeverisjen Lokale dhe ligjet që rregullojnë lirinë dhe të drejtat e qytetarëve.

AVONET kërkon nga kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, që ta ndërpresë këtë formë të paparë deri më sot.

“Kjo ngjarje e shëmtuar e pushtetit komunal për ta uzurpuar komunën paraqet një prej shkeljeve të shumta që bënë institucioni i Komunës së Ferizajt duke na kujtuar qeverisjen e Adem Salihajt, kur tentonte të kontrollonte edhe qytetarin e lirë të Komunës së Ferizajt”, thuhet në reagimin e AVONET.

Kjo organizatë i bënë thirrje po ashtu edhe MAPL-së dhe organeve të drejtësisë që ta hetojnë këtë rast për mohimin e drejtës së lirë të qytetarëve në kryerjen e shërbimeve komunale.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kryetari-i-ferizajt-i-ve-drynin-komunes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala