Kryetari i Dragashit, për 6 vite nuk e mban premtimin elektoral

Autori:Avdyl Pajaziti

Që nga viti 2009 kryetari i Dragashit Salim Jenuzi premtoi ndërtimin e shkollës profesionale, e cila ende nuk është kompletuar.

Shkolla profesionale nisi të ndërtohet në vitin 2008, ndërsa ishte njëri nga premtimet elektorale të kryetarit Jenuzi në zgjedhjet lokale të vitit 2009.

Ndërtimin e kësaj shkolle si premtim nëse i jepet vota, Jenuzi e barti edhe në zgjedhjet komunale të 2013-ës, por shkolla edhe sot ende nuk është përfunduar, megjithëse vazhdojnë punimet për ndërtimin e saj.

KALLXO.com-i tentoi ta marrë edhe mendimin e kryetarit të Dragashit Salim Jenuzi për zvarritjet e ndërtimit të kësaj shkolle, por kryetari nuk u përgjigj në telefon për këtë çështje.

Nexhat Isufi, asamblist i Bashkimit Demokratik në Komunën e Dragashit dyshon se shkolla do të nisë punën në muajin shtator.

“Me të vërtetë kjo shkollë është bërë një maratonë për arsye se nxënësit tonë prej 2010-ës, kanë mundur të shkojnë në profesione të ndryshme dhe jo që pritet shumë sigurt që do të fillojë në shtator, por është një pikëpyetje e madhe se a do të fillojë edhe vitin e ardhshëm, apo jo,” tha asamblisti Isufi.

Isufi shtoi se kjo shkollë tregon se sa të sinqertë janë qeveritarët komunalë kur premtojnë diçka.

As drejtori i Arsimit në Komunën e Dragashit Hajri Ramadani, nuk e di saktësisht nëse shkolla do të fillojë punën në shtator.

“Shkolla profesionale ka filluar të ndërtohet në vitin 2008 dhe është në përfundim e sipër dhe mendojmë që më 1 shtator duhet të lëshohet me drejtimet e reja profesionale, e jo vetëm me ato që i kemi: juridik, ekonomi, laborant, por edhe drejtime që janë nëpër shkollat profesionale nëpër territorin e Kosovës,” tha drejtori Ramadani.

Derisa të ndërtohet kjo shkollë, nxënësit e Dragashit që i duan drejtimet profesionale, duhet të udhëtojnë për shkollim të tillë në Komunën e Prizrenit./KALLXO.com/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kryetari-i-dragashit-per-6-vite-nuk-e-mban-premtimin-elektoral/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala