Kryetari i Çekisë: Thaçi është kriminel lufte

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Çekisë, Milos Zeman ka thënë se, për dallim nga shteti në krye të të cilit gjendet, personalisht nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe prandaj nuk po dërgon ambasador në Prishtinë.

Në intervistën për numrin e sotëm të “Novosti” të Beogradit, pasi që gazeta ia përkujton se “është i njohur qëndrimi i tij se Kosovën e drejton një regjim mafioz që financohet nga tregtia me narkotikë”, Zeman është përgjigjur: “shumë herë publikisht kam thënë se Hashim Thaçi është kriminel lufte”.

I pyetur se a zhvillon Bashkimi Evropian politikë parimore ndaj Serbisë, Zeman thotë se “gjithçka varet nga ajo se ç’do të merren vesh Serbia dhe Kosova” dhe se, sipas mendimit të tij, “do përzierje nga cilado anë mund të jetë kundërproduktive dhe e gabueshme”.

Zeman, siç transmeton Kosovapress-i, konsideron se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është kusht për pranimin e Serbisë në BE.

“Pesë anëtare të BE-së, Sllovakia, Spanja, Greqia, Rumania dhe Qiproja nuk e njohin Kosovën”, thotë ai.

Sipas presidentit çek, precedenti kosovar “ka hapur kutinë e Pandorës” dhe ka nisur “një proces të rrezikshëm të ridefinimit të kufijve dhe ndryshimit të integritetit territorial anembanë botës”

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kryetari-i-cekise-thaci-eshte-kriminel-lufte/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala