Kryetari i AGK-së: Kujdes me gazetarët

Sot në protesta pati disa incidente të vogla, ku policia dhe në disa raste edhe protestuesit penguan gazetarët gjatë kryerjes së detyrës së tyre.
Po ashtu u shënua edhe një rast ku policia përgjaku një gazetar të gazetës Blic dhe për të cilin rast ka raportuar edhe portali infokusi.com
Lidhur me këtë, kryetari i Asosacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani ka thënë për portalin Infokusi se është duke i përcjellur nga afër zhvillimet në kryeqytet.
“Ne po i përcjellim me vëmendje zhvillimet e fundit në kryeqytet, ku po zhvillohen protesta. Jemi të shqetësuar me incidentet që kanë ndodhur me gazetarët. Në këtë rast u bëj thirrje pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, që të kenë konsideratë dhe t’u krijojnë hapësirë gazetarëve për kryerjen e detyrës”, ka thënë për Infokusin, kryetari i AGK, Zekriaja Shabani.
Gjithashtu ai u ka bërë thirrje redaksive të medieve që t’i pajisin gazetarët me pajisje të nevojshme për raportim në protesta.
“Gazetarët sugjerohen të bartin shenja identifikuese “Press” dhe pajisje mbrojtëse kundër gazit lotsjellës dhe mjeteve të forta”, ka thënë Shabani./infokus.com