Kryetarët e fshtrave peng i politikës apo i rregullores

Autori:Gazeta Fjala

Procesi i zgjedhjes së përfaqësuesve të fshatrave dhe bashkësive lokale në komunën e Ferizajt, i nisur para më shumë së dy viteve, ka mbetur në gjysmë. Mungesa e vullnetit politik për t’i dhënë zgjidhjen e duhur këtij procesi, por edhe politizimi i tij qysh në fillim siç duket e ka lënë peng këtë proces.

Përfaqësuesit e pushtetit, por edhe të opozitës, së fundi e kanë bërë fajtore një rregullore të Kuvendit, të cilën e kanë sjellë vetë, e që mandatin e përfaqësuesve e lidhë me mandatin e Kuvendit. Shikuar kronologjikisht ky proces ka nisur qysh në legjislaturën e kaluar me zgjedhjen e 16 kryetarëve të fshatrave, por që nuk është vazhduar pas zgjedhjeve të fundit lokale.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Ferizajt, Faruk Guri ditë më parë u ka kërkuar këshilltarëve komunal që të nisin procesin e ndryshimit të kësaj rregulloreje, konkretisht heqjes së nenit 4 i cili po e kufizon mandatin e kryetarëve të fshatrave me atë të kuvendit.

“Procesi duhet të nisë nga e para, fillimisht të ndryshohet rregullorja dhe tek më pastaj të shpallen zgjedhjet për kryetarë të fshatrave dhe vendbanimeve urbane, mandati i të cilëve duhet të zgjasë katër vite”, ka thënë Guri, teksa ka shpjeguar se ndryshimi i rregullores duhet të kaloj nëpër procedurat e parapara, pa përjashtuar edhe diskutimin publik.

Në anën tjetër, opozita po mendon se Kuvendi pas marrjes së vendimit për ndryshimin e rregullores nuk duhet t’i hyjë procedurës së plotë të ndryshimit të saj, por vetëm të heq nenin 4 që e definon mandatin e kryetarëve.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kryetaret-e-fshtrave-peng-i-politikes-apo-i-rregullores/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala