Kryesia e Kuvendit mbledhje, diskutohet për raportimin e Mustafës

Autori:Gazeta Fjala

Raportimi i kryeministrit, Isa Mustafa për marrëveshjet e Brukselit, i cili pati të bëhej seancën e kaluar, u ndërpre nga opozita.

Ndonëse u tha se ky raportim nuk do të bëhej më, këtë e ka demantuar zyra për shtyp e Kuvendit të Kosovës.

Ajo dje, përmes një njoftimi për media ka lajmëruar se Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë sot takim me kryetarët e grupeve parlamentare.

Sipas këtij njoftimi rendi i ditës për mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit parasheh edhe pikën e papërfunduar nga seanca plenare më 22 shtator 2015, që ka qenë “Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me Marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015”.

Ndër të tjera, në këtë mbledhje, si pika tjera të rendit të ditës janë edhe pikat e papërfunduara nga seanca plenare më 17 shtator 2015, si: Interpelanca e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Letërnjoftimin, Shqyrtimi i parë i Projektligjit për treguesit gjeografikë dhe për emërtimet e origjinës, Emërimi i anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas, Emërimi i anëtarit të Komisionit për Kërkesa Pronësore, si dhe Formimi i Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të RTK-së nga komuniteti serb, etj.

Ndër të tjera, do të shqyrtohen edhe propozimet dhe kërkesat e shtatë deputetëve për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, Kërkesa e kryetarit të komunës së Prishtinës për rinovimin e Sheshit “Adem Jashari”, si dhe Çështja e financimit të Radiotelevizionit të Kosovës./Tribuna

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kryesia-e-kuvendit-mbledhje-diskutohet-per-raportimin-e-mustafes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala