Kryeqyteti i Evropës nën masa të jashtëzakonshme

Autori:Gazeta Fjala

Qyteti i Brukselit, i njohur edhe si kryeqytet i Evropës, është zgjuar sot me masa të jashtëzakonshme pasi që gjatë natës qeveria ka ngritur në 4 nivelin e alarmit, që është më i larti dhe do të thotë se ekziston “rrezik imanent nga sulmet terroriste”.

Në konferencën zhvilluar sot në mëngjes para gazetarëve, kryeministri i Belgjikës Charles Michel, ka konfirmuar se vendimi është marrë në bazë të informatave se ekziston rrezik nga sulmet terroriste të ngjashme me ato në Paris. Ai ka thënë se disa persona mund të kryejnë vepra terroriste në të njëjtën kohë në disa pjesë. Por nuk ka dashur të japë më shumë informacione për të mos rrezikuar operacionet që janë në vazhdim e sipër nga njësitë e sigurisë së Belgjikës, raporton korrespodenti i Grupit KOHA në Bruksel, Augustin Palokaj.

Qeveria ka porositur qytetarët që të evitojnë tubimet e mëdha, qendrat dhe rrugët tregtare ndërsa anulohen edhe zhvillimet e ndeshjeve të futbollit, koncertet dhe tubimet tjera. Po ashtu me urdhër të policisë është mbyllur tërësisht edhe metroja e Brukselit dhe secili transport nëntokësorë. Ky sistem transporti, që është edhe damari kryesorë i funksionimit të qytetit, do të mbetet i mbyllur deri të dielën pasdite kur do të takohet shtabi i krizës për të analizuar situatën dhe për të marrë vendime të reja.

Në rrugën kryesore tregtare të Brukselit Rue Neuve të shtunën kah mesdita janë parë shumë pak njerëz që është e pazakontë për këtë periudhë të ditës kur zakonisht është e vështirë edhe të ecësh nga numri i madh i njerëzve të cilët vinë këtu në ditët kryesore për tregti. Disa dyqane nuk janë hapur fare ndërsa ato që janë hapur janë të zbraztë. Rrugëve shihet jo vetëm policë por edhe ushtarë të armatosur me armë të gjata zjarri, përcjell koha.net.

Ministri i brendshëm i Belgjikës, Jan Jambon ka thënë se “situata është serioze për është nën kontroll” dhe se të gjitha organet e sigurisë janë në gjendje gatishmërie pothuajse 24 orë në ditë.

Njëra prej arsyeve të ngritjes së nivelit të alarmit në rrezikun më të madh të mundshëm mund të jetë edhe fakti se njëri prej të aktakuzave kryesore për masakrën në Paris Salah Abdeslam, i cili ndodhet në arrati, supozohet të jetë në Bruksel. Në kërkim të tij policia ka bërë disa operacione në lagjen Molenbeek në Bruksel.

Për faktin se shumë sulme terroriste në disa pjesë të Evropës janë përgatitur apo kryer nga persona që kanë jetuar në Belgjikë ky shtet është gjetur nën kritika të mëdha nga shërbimet e vendeve tjera dhe ka marrë epitetin si “thembra e Akilit për sigurinë e Evropës”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kryeqyteti-i-evropes-nen-masa-te-jashtezakonshme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala