Kryeministri Mustafa uron që 2016-ta të jetë vit i mirëkuptimit tonë (Video)

Kryeministri Isa Mustafa nëpërmjet një videoje ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e Vitit të Ri.
“Të dashur qytetarë të Kosovës! Në këtë festë tradicionale, në natën e ndërrimit të viteve, kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës t’i dëshiroj urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Ju uroj gëzuar Vitin e Ri të gjithë fëmijëve të Kosovës, të cilët i gëzohen aq shumë festave, e posaçërisht Vitit të Ri dhe atmosferës ngazëlluese dhe unike që krijohet me këtë rast.
I uroj gëzuar të rinjve të Kosovës, të cilët përbëjnë shumicën dërrmuese të shoqërisë, dhe që, përkundër vështirëve, nuk e humbën për asnjë moment optimizmin dhe vullnetin e tyre të mirë për Kosovën.
Uroj prindërit, motrat, vëllezërit tanë anekënd Kosovës, dhe të gjithë bashkatdhetarët tanë në diasporë.
Gëzuar Vitin e Ri i urojmë edhe miqve tanë ndërkombëtarë, të cilët po e ndihmojnë Kosovën për të ecur përpara”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka numëruar disa nga sukseset e Qeverisë në vitin 2015, ndërsa ka deklaruar se ata po ashtu janë përballur me shumë sfida dhe situata të paparashikuara.
“Motra dhe vëllezër, jam besimplotë se Viti i Ri 2016, do të jetë vit i punës, shpresës dhe besimit. Vit i mirëkuptimit tonë!
Është çasti më i duhur që të reflektojmë së bashku dhe që me forcën e vullnetit me të cilën fituam lirinë dhe krijuam shtetin, të angazhohemi që ta bëjmë Republikën e Kosovës anëtare të denjë të familjes së madhe evropiane”.
“Të dashur bashkëqytetarë të vendit tim, kam kënaqësinë që t’ju uroj nga zemra Gëzuar Viti i Ri 2016! Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!”, e ka përmbyllur fjalën e tij Mustafa.