Kryeministri Mustafa paralajmëron largimin e Jabllanoviqit

Autori:Zekirja Shabani

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, paralajmëroi sot se “së shpejti” do të ketë ndryshime në qeverinë e tij.

Paralajmërimin ai e bëri duke folur rreth deklaratës së ministrit serb në qeverinë e tij, Aleksandar Jabllanoviq, dhe situatës së krijuar pas protestave në kërkim të shkarkimit të tij.

Sipas Mustafës, qëndrimi i mëtejmë i Jabllanoviqit në postin e ministrit, pas deklaratave të bëra nuk do t’i bënte mirë as vetë Jabllanoviqit.

“Kjo çështje është stërmadhuar dhe politizuar shumë nga partitë politike për qëllimet e tyre të caktuara”, tha kryeministri Mustafa sot gjatë një vizite në Rahovec, transmeton gazetaexpress.

“Por pasi që protestat dy herë kanë eskaluar dhe qytetarët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre përmes protestave, kjo nuk do të ndikojë mirë as në raportet ndërmjet komuniitetit shqiptar dhe serb dhe qëndrimi në ministri nuk do t’i bënte mirë as ministrit Jabllanoviq”, u shpreh Mustafa.

“Do të ketë shumë shpejt ndryshime, pasi që me deklaratën e tij janë fyer nënat gjakovare dhe krejt qytetarët e Republikës së Kosovës”, u tha kryeministri i cili javëve të fundit ka qenë nën presion të madh publik për ta shkarkuar ministrin Jabllanoviq.

“Ndryshimet do të vijnë”, tha Mustafa duke mos pranuar të japë një kohë se kur do të largohet Jabllanboviq nga posti ministror. /gazetaexpress/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kryeministri-mustafa-paralajmeron-largimin-e-jabllanoviqit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala