Kryeministri Mustafa dhe kongresisti Engel ritheksojnë rëndësinë e krijimit të Speciales

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të premten kongresistin amerikan, mikun e madh të Kosovës, Eliot Engel.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa dhe kongresisti Engel biseduan për proceset aktuale në Kosovë, për reformat që po ndërmerr Qeveria e Kosovës në shumë fusha, për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe proceset integruese euroatlantike të Kosovës.

Mustafa shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kongresisti Engel po japin për Kosovën, në të gjitha fushat.

Ai e njoftoi me agjendën e Programit të Qeverisë së Kosovës, i cili, siç thotë kumtesa nga Kryeministria, e ka prioritet kryesor zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, proceset integruese evropiane si dhe reformat në shëndetësi e arsim, si pjesë përbërëse e zhvillimit të vendit.

Gjatë takimit u bisedua edhe për krijimin e Dhomave të Specializuara dhe rëndësinë e madhe që ka themelimi i tyre për Kosovën në këtë fazë, pasi që kjo dëshmon se Kosova ka kapacitet për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e saj, për të përmbushur obligimet ndërkombëtare si dhe për të ecur përpara në integrimet euroatlantike.

Kongresisti amerikan, Eliot Engel, vlerësoi lartë progresin që po arrihet në Kosovë dhe përkushtimin e institucioneve e të popullit të Kosovës për të ecur përpara.

Kongresisti Engel po ashtu shprehu përkrahjen e mëtejshme për avancimin e proceseve dhe progresit në Republikën e Kosovës.

Gjatë takimit u bisedua edhe për dialogun për normalizimin e raporteve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si dhe për zhvillimet e tjera në rajon, me ç ‘rast u vlerësua roli konstruktiv i Kosovës në këto procese.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kryeministri-mustafa-dhe-kongresisti-engel-ritheksojne-rendesine-e-krijimit-te-speciales/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala