Kryeinspektori Sveçla me mbindërtim pa leje

Zyrtari kryesor, që është i ngarkuar me ligj që të mos lejojë ndërtime pa leje në komunën e Prishtinës, ka mbindërtim pa leje.
Bëhet fjalë për drejtorin e Inspektoratit, Xhelal Sveçla, i cili, sipas dokumenteve që posedon gazeta “Zëri”, pak muaj pas përfundimit të luftës në vend, përkatësisht në vitin 2000, ka bërë mbindërtim pa leje të një lokali afarist, të cilin e ka në bashkëpronësi me vëllezërit e tij.
Pavarësisht se lokali është në bashkëpronësi, gjatë periudhës që janë regjistruar 46 mijë ndërtime pa leje në kryeqytet, i njëjti lokal është regjistruar në emrin e vëllait të Xhelal Sveçlës, Nexhatit.
Ky mbindërtim është regjistruar në zonën kadastrale 71914059, me numër të parcelës 3771.