Kronologjia e protestave të Vetëvendosjes

Autori:Avdyl Pajaziti

Pas vitit 2004, shumë protesta që ishin paralajmëruar si paqësore, në fund kishin degjeneruar në dhunë. Por, nëse shikohet në mënyrë kronologjike, pothuajse të gjitha protestat që janë shndërruar në dhunë, ose janë organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ose ata kanë qenë bashkë organizatorët e tyre.

Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që nga viti 2005 ka organizuar protesta të shumta, për kauza të ndryshme, mirëpo në shumicën e rasteve, protestat janë manifestuar me akte të dhunës dhe dëmtim të pronës private e publike.

E ndonëse kanë ndryshuar shpeshherë në qëndrime, ndër vite, lëvizja e Kurtit dhe Ymerit në mënyrë konsistente ka përdorur mjete të dhunshme në emër të demokracisë për t’i manifestuar pakënaqësitë. Por, në emër të demokracisë mund të stimulohet vetëm përplasja e ideve dhe jo edhe e njerëzve.

Protesta e 10 shkurtit 2007

Padyshim që demonstrata e vitit 2007, në kulmin e një depresioni të madh kolektiv ishte protesta më e dhunshme në Kosovë. Në këtë ditë, krahas shumë të lënduarve, ishin vrarë edhe dy protestues. Më vonë Kurti ishte mbajtur disa muaj në paraburgim si nxitës i protestave të dhunshme. Në atë kohë, të gjithë partitë politike, duke përfshirë edhe atë të Veton Surroit e kishin akuzuar personalisht Kurtin për nxitje të dhunës.

Protesta në Merdarë “Serbia nuk kalon” – janar 2012

Kësaj proteste i kishin paraprirë akte të dhunshme dhe të papara deri në atë kohë në Kosovë, ku kamionë të ndryshëm ishin konfiskuar nga aktivistë të Vetëvendosjes dhe më pas ishin rrokullisur. Më pas, u organizua protesta në Merdarë, ndonëse në atë kohë i gjithë fokusi botëror ishte në veri të Kosovës, ku paramilitarë serb kishin ndërtuar barrikada dhe kishin bllokuar qarkullimin. Megjithëkëtë, Vetëvendosje kishte vazhduar protestën, që kishte për qëllim bllokimin e mallrave serbe. Kjo protestë po ashtu kishte dal nga kontrolli dhe aty ishin lënduar mbi 32 policë të Kosovë dhe dhjetëra protestues.

Protesta e 27 janarit 2015

Dhjetëra protestues e policë ishin lënduar pas eskalimit të protestës së 27 janarit të këtij viti në sheshin “Skënderbe” në Prishtinë, si rezultat i përdorimit të dhunës dhe hedhjes me gurë në drejtim të policisë nga ana e protestuesve. Policia e Kosovës u detyra të përdorë gazlotsjellës dhe autoblindë uji. Protestuesit, të cilët ishin tubuar për të kërkuar dorëheqjen e ministrit Aleksandar Jabllanoviq dhe për mbajtjen e ndërmarrjes së Trepçës nën administrimin e AKP-së, tentuan të hyjnë në automjetet e Policisë, duke rrezikuar kështu shkaktimin e një numri të madh viktimash. Devijimi i protestës paqësore në Prishtinë përmes përdorimit të dhunës nga protestuesit, për të dytën herë radhazi, rikujton pashmangshëm protestat e dhunshme të 21 janarit në Tiranë, ku protestuesit nuk kursyen metoda për të jetësuar dorëheqjen e atëhershme të ministrit të jashtëm, Ilir Metës, protesta këto të cilat përfunduan me vrasjen e katër protestuesve.

Amerikanët e quajtën Kurtin “vdekjeprurës” dhe “destabilizues”

Analizat e Departamentit të Shtetit Amerikan që janë bërë për figurën e Kurtit, tregojnë se ai qysh në vitin 2007 është parë si një rrezik afatgjatë në destabilizimin e Kosovës. Ky paralajmërim ishte bërë në vitin 2007 nga ish-ambasadorja amerikane në Kosovë, Tina Kajdanov, e cila tash është njeriu kryesor në administratën amerikane në luftën kundër terrorizmit në botë, transmeton Indeksonline.

Në raportin e zbardhur nga Wikileaks, thuhej se Albin Kurti do të vazhdon së kundërshtuari Kosovën dhe autoritetet ndërkombëtare dhe të flakë emocionet e kosovarëve që mund të jenë bërë të padurueshëm me procesin e statusit final.

“Veprimet e tija të kaluara janë të dëshmuara jo vetëm si të rrezikshme, por edhe vdekjeprurëse dhe ai po premton se do të jetë edhe në të ardhmen forcë destabilizuese në Kosovë”, thuhej në këtë raport të shkruar nga ish ambasadorja amerikane në Kosovë, Tina Kajdanov.

Paralajmërimi për protesta të dhunshme

Ndryshe prej herëve të tjera, kësaj radhe Vetëvendosje bashkë me parti të ndryshme opozitare kanë paralajmëruar se protesta e radhës do të jetë edhe më e dhunshme. Është hera e parë që kjo parti paralajmëron qysh në start se protesta do të jetë e dhunshme. Në të kaluarën, Vetëvendosje gjithmonë kishte thënë se ato do të jenë paqësore. Vetëvendosje, AAK-ja dhe Nisma, raportohet se tashmë janë pajtuar që ta ashpërsojnë formën e veprimit të tyre politik përmes protestave në rrugë. Ndërkaq, policia e Kosovës ka shtuar jashtëzakonisht masat e sigurisë në Prishtinë.

Dyshimet thuhet të kenë ardhur pas informacioneve të inteligjencës dhe deklaratave publike të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje se nuk do të kursejnë asgjë për të ndaluar jetësimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Policia ka udhëzuar zyrtarët e shtetit që asnjë veturë zyrtare mos të shfrytëzohet pas orarit të punës dhe që ato të qëndrojnë në parkingjet e secilit institucion që i përkasin e jo në parkingje private. Krejt kjo pasi që Policia posedon informacione se secila veturë zyrtare që gjendet para ndonjë parkingu të banesave apo shtëpive, mund të digjet nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje. /Indeksonline/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kronologjia-e-protestave-te-vetevendosjes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala