Kriza politike lë Kosovën pa liberalizim të vizave

Autori:Gazeta Fjala

Kosovarët janë në pritje që gjatë vitit të ardhshëm t’u mundësohet lëvizja pa viza drejt vendeve të BE-së. Këtë ua ka premtuar vet kjo e fundit, e edhe liderët institucional të vendit.

Por ekziston një rrezik tjetër që mund të lë ata të izoluar edhe gjatë vitit të ardhshëm. Ajo është kriza e thellë politike që po përjeton vendi.

Kosova prej më shumë se një viti vazhdon të jetë në krizë politike. Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare vendi u përballë me gjashtë muaj ngërç politik për shkak të luftës së pa kompromis të partive politike se kush duhet të merrte pushtetin. Por kjo luftë nuk përfundoi me gjetjen e formulës qeverisëse.

Opozita duke mos u pajtuar me faktin e fuqisë së numrave në Kuvend, zgjodhi formën e bllokimit të institucionit përfaqësues të popullit, me arsyetimin se po e mbron Republikën.

Këto kriza, njëra pas tjetrës, pa dyshim se kanë penguar zhvillimin e vendit dhe pengimin e shumë proceseve shumë të rëndësishme për qytetarët.

Një prej tyre është edhe liberalizimi i vendit. Zyrtarë të Bashkimit Evropian, por edhe ata vendor kanë paralajmëruar se kosovarët më në fund, gjatë vitit të ardhshëm kanë gjasa shumë të mëdha që të lëvizin pa viza drejtë vendeve të BE-së.

Por tani ekziston një rrezik tjetër. Nuk është më BE-ja ajo që do t’i mbajë ende të izoluar kosovarët, por ata janë vet liderët politik të Kosovës.

Ministri Integrimeve Europiane, Bekim Çollaku është shprehur i bindur institucionet e Kosovës kanë përmbushur kriteret për liberalizmin e vizave dhe se tash kjo çështje mbetet në dorën e BE-së.

Çollaku për lajmi.net, është shprehur se me zhvillimet e fundit në vend, Kosova nuk po i dërgon mesazh të mirë vendeve të BE-së, për të marr një vendim sa i përket heqjes së vizave për qytetarët.

“Ne i kemi plotësuar kriteret teknike për liberalizimin e vizave dhe tani mbetet në vullnetin politik të BE-së dhe shteteve anëtare për ta marrë vendimin e merituar. Dhe për ta marrë këtë vendim politik, Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për një imazh pozitiv në rrethana ndërkombëtare tepër komplekse dhe problematike”, ka thënë ai.

Çollaku ka frikën se nëse kriza politike nuk tejkalohet apo përshkallëzohet rrezikohet seriozisht procesi i liberalizimit të vizave dhe shumë procese të rëndësishëm për vendin.

“Prandaj është e qartë se në rast se kemi përshkallëzim të mëtejmë të situatës, dhe në rast se dështojmë që në tërësi ta normalizojmë situatën politike dhe të sigurisë në vend, atëherë jo vetëm që do të rrezikohet procesi i liberalizimit të vizave, por do të rrezikohen të gjitha proceset tjera si në planin e brendshëm, e po ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, ka deklaruar ministri Çollaku.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kriza-politike-le-kosoven-pa-liberalizim-te-vizave/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala