Kriza kthen shqiptarët te biçikletat

Autori:Zekirja Shabani

Biçikleta është një ndër format e udhëtimit më pak të kushtueshme në botë, numri i përdorimit të të cilave është rritur edhe në Shqipëri. Por, kjo nuk ndodh për arsye ambientaliste si mbrojtja e mjedisit por si një alternativë ekonomike e të udhëtuarit nëpër qytet. Problematika e kryeqytetit tonë është mungesa e infrastrukturës së përshtatshme për lëvizjen në qytet, por edhe fenomeni i vjedhjes së tyre është kthyer tashmë në një modë.

Rreziqe të tilla merren përsipër duke marrë në konsideratë faktin se alternativa e blerjes së një makine, e mirëmbajtjes së saj, çmimi i naftës në Shqipëri, por edhe kostoja e udhëtimit me mjete të transportit publik janë relativisht më të larta se sa posedimi i një biçiklete.

‘Ecovolis’ njihet prej vitesh në Tiranë, jo vetëm për fushatat që ndërmerr në kuadër të përdorimit të shpeshtë të biçikletave, por edhe për skemën e saj të qiradhënies së biçikletave, të cilat janë të shpërndara në shumë pika në kryeqytet. Ata pohojnë për ‘Monitor’ se kërkesat e shqiptarëve për të marrë me qira një biçikletë kanë ardhur në rritje me kalimin e viteve, aq sa kanë shtuar edhe vendet, edhe numrin e biçikletave në Tiranë. Kryesisht, sipas tyre, të rinjtë shfaqin më tepër dëshirën për të pasur një biçikletë.

Pse biçikleta?

Sipas disa prej dyqaneve të pyetura në Tiranë, çmimi i një biçiklete fillon nga 15,000 lekë dhe arrin edhe shifra të larta si 200,000 lekë e më tepër.

Me gjithë ekzistencën e shumë dyqaneve që tregtojnë biçikleta në rrugët kryesore në kryeqytet apo qytete të tjera, ashtu sikurse edhe firmat e sportit të njohura që kanë përfaqësitë e tyre në vendin tonë, ka edhe alternativa më pak të kushtueshme për të gjithë ata që duan të posedojnë një biçikletë. Në kryeqytet ekzistojnë dy tregje, ai në Pazarin e Ri dhe një tjetër pranë zonës së Medresesë, te të cilët mund të gjenden biçikleta me kosto relativisht të ulët.

Po cilat janë arsyet që i shtyjnë njerëzit që të blejnë një biçikletë?

Sipas përfaqësuesve të një dyqani pakice në rrugën ‘Myslym Shyri’, ‘Go Sport’, një pjesë e madhe e personave që kanë blerë kohët e fundit janë ‘ankuar’ për çmimin e naftës dhe trafikun e rënduar, gjë që i ka shtyrë ata drejt braktisjes së makinave. Ata tregojnë se sidomos duke nisur nga pranvera e vitit të shkuar, shitjet e biçikletave janë rritur.

Ndërsa një pjesë e personave të kontaktuar nga ‘Monitor’ pohojnë se alternativa e biçikletës, pavarësisht kushteve jo të mira të infrastrukturës, zgjidhet për çështje ekonomike, duke mos pasur mundësinë e të blerit të një makine dhe duke shmangur përdorimin e transportit publik./Monitor/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kriza-kthen-shqiptaret-te-bicikletat/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala