Kriza greke ndikoi në tregtinë me Kosovën

Autori:Avdyl Pajaziti

Kriza greke ka pasur ndikim edhe në Kosovë, pasi marrëdhëniet ekonomike kanë qenë të theksuara në nivel të importit dhe eksportit. Në gjashtëmujorin e parë të viti 2014 eksporti me Greqinë ishte mbi një milion euro, ndërkaq për periudhën e njëjtë të viti 2015 ka shënuar rënie në 500 mijë euro, kurse numri i bizneseve greke të regjistruara në Kosovë ishte vetëm pesë.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2014 eksporti në Greqi ishte mbi një milion euro. “Në vitin 2014 për gjashtë muaj eksporti ishte 1. 073. 211 euro, kryesisht seksioni i zarzavateve, perimet dhe frutat, kurse në këtë gjashtëmujor kemi eksport vlerë prej 500.966 eurosh”, ka thënë ai. Sipas tij, importi për gjashtëmujorin e parë në vitin e kaluar ishte 137.162.556 euro, kurse në vitin 2015 për këtë periudhë kemi import me vlerë prej 53.687.699 eurosh.

Ndërsa drejtori i Drejtorisë për Çështje Administrative të Regjistrimit të Biznesit në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit në Kosovë, Mehdi Pllashniku, ka bërë me dije se numri i bizneseve greke të regjistruara në Kosovë për periudhën janar-qershor 2015 ishte vetëm pesë. Sipas tij, në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishte vetëm  një biznes grek i regjistruar. “Numri i bizneseve të regjistruara është më i madh në sektorin e tregtisë dhe kryesisht janë ndërmarrje të vogla”, është shprehur ai.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Nehat Emurllahu, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se kriza greke ka ndikim të madh në ekonominë e Kosovës. “Greqia e ka të minimizuar prodhimin që është furnizuar nga Kosova, pasi Greqia është prodhuese e vogël dhe është kryesisht qendër tregtare. Nëpërmjet portit të Selanikut importon e gjithë bota mallra. Greqia është më tepër një shtet tregtar sesa prodhues”, është shprehur Emurllahu, duke shtuar se gjendja ekonomike dhe politike kanë ndikuar të zvogëlohet eksporti në Kosovë.

“Kosova është në gjendje më të vështirë. Gjendja është më e rëndë sesa që propagandohet, flitet ose shkruhet në institucionet më të larta. Ne nuk kemi ngritje të prodhimit, eksportit dhe ngritje të zhvillimit ekonomik. Është e kundërta, sepse s’kemi investime, kemi prodhim dhe import më pak, pasi shporta e konsumit të qytetarit është më e vogël sot sesa në vitet e kaluara”, ka thënë ai. Ndërkaq sa i përket ngritjes së pagave dhe skemave pensionale, Emurrllahu ka thënë se Kosova ka ngjashmëri të madhe me Greqinë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kriza-greke-ndikoi-ne-tregtine-me-kosoven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala