Kriza greke, bisedimet nisin të mërkurën

Autori:Avdyl Pajaziti

Greqia dhe ekspertët e Komisionit Europian, Bankës Qendrore Europiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar do të nisin të mërkurën bisedimet teknike të detajuara mbi reformat që do të ndërmerren për të dalë nga kriza.

Lajmin e bëri të ditur shefi i Eurogrupit, Jerun Dajselblum, sipas të cilit koha është shpërdoruar mjaftueshëm.

“Mesazhi më i rëndësishëm sot ishte që kemi harxhuar dy javë për të vendosur se kush do të marrë pjesë në takime, ku dhe si do të zhvillohen ato. Kjo ka qenë një harxhim kohe. Prandaj vendosëm që do të nisim të mërkurën, në Bruksel. Sigurisht do të ketë edhe specialistë të institucioneve që do të shkojnë në Athinë dhe do të bashkërendojnë punën me skuadrat këtu në Bruksel”.

Qeveria e radikalëve të majtë të Syriza-s me sa duket nuk do të shmangë dot takime në Greqi me përfaqësues të institucioneve, edhe pse ky ishte një premtim në fushatën zgjedhore të fituar bindshëm.

Fondet e Bashkimit Europian janë jetike për helenët, të cilët mund të mbesin me arka bosh duke filluar nga ditët e para të prillit, edhe pse zyrtarët e Athinës pretendojnë se janë në gjendje të paguajnë të tre këstet e marsit ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, në datat 13, 16 dhe 20 të këtij muaji.

Megjithatë, aleati i Tsiprasit, Panos Kamenos, kërcënoi Europën që nëse nuk arrihej një zgjidhje për vendin e tij, atëherë do të lëshonte një valë emigrantësh në dyert e unionit.

“Nëse përpiqen ta godasin Greqinë, duhet të dinë se ne do të pezullojmë traktatin e Dublinit menjëherë dhe emigrantët mund të marrin dokumentat e tyre e të shkojnë në Berlin. Nëse mes tyre ka edhe nga ata që mbështesin ISIS, do të jetë përgjegjësia e Europës, që vendosi të rrëzojë Greqinë”.

Lideri i grekëve të pavarur, një parti e krahut të djathtë, bashkohet me Syriza-n vetëm në kundërshtimin e masave shtrënguese të vendosura nga Trojka, pasi të majtët e Tsiprasit kanë treguar se kanë një qendrim pro emigrantëve në vend.

Kufiri grek me Turqinë është pikë kalimi e rregullt e emigrantëve që vijnë nga Siria, të cilët shpesh kalojnë edhe përmes Shqipërisë për të mbërritur në Europën Perëndimore.

Deri tani, në kampet greke qendrojnë deri në 10 000 vetë, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kriza-greke-bisedimet-nisin-te-merkuren/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala