Kriza e refugjatëve mund të çojë në rrëzimin e qeverisë gjermane

Autori:Gazeta Fjala

Në shtypin gjerman, spekulimet qarkullojnë prej ditësh: vala e refugjatëve ka shkaktuar përplasje të mëdha mes partive aleate në pushtet, por a mund të çojë ajo deri në rrëzimin e koalicionit qeverisës. Vërshimi i emigrantëve ushqen frikën e një pjese të gjermanëve se mund të kthehen në të huaj në vendin e tyre.

Dhe për të ofruar garanci se kjo nuk do të ndodhë, nga kancelarja e CDU-së do të pritej qëndrim më i ashpër, forcim i kufijve dhe ruajtje e identitetit vendas.

Pikërisht, shkruajnë mediat gjermane, këtë dëshiron prej Angela Merkelit Horst Seehofer, lideri i Bavarisë që po mban barrën kryesore të refugjatëve. Një pjesë e bazës së partisë shkon deri aty sa ta akuzojë kancelaren se ka tradhtuar parimet e demokristianëve. Problemet me strehimin e të ardhurve e kanë shtuar presionin, siç u pa qartë në takimin e fundit të grupit parlamentar të CDU/CSU-së ku pati shpërthim të pakënaqësive.

Të martën e ardhshme do të zhvillohet një takim tjetër dhe thuhet se do të artikulohen kërkesa për ta detyruar Merkelin t’i japë fund politikës së kufijve të hapur. Situata është e nderë e nga Bavaria mbërrijnë sinjale se CSU-ja do të tërheqë ministrat nga koalicioni. Mosmarrëveshje mes saj dhe simotrës CDU ka pasur gjithmonë. Por tani kryetari i CSU-së, Horst Seehofer, duket se i druhet mundësisë gjithmonë e më të prekshme që elektorati i tij të kalojë te partia populiste e djathtë AfD.

Bavaria po mban barrën kryesore të emigrantëve pasi shumica e tyre hyjnë në Gjermani pikërisht përmes kufirit të saj me Austrinë. Edhe pse landi është i organizuar mjaft mirë, me nivelin e ardhjeve që nuk kanë të sosur, është duke mbërritur ngadale në limitet e tij, çka rrit trysninë mbi drejtuesit.
Vëmendja është përqëndruar tanimë tek lëvizjet që do të bëjë Merkel lidhur me pretendimet në rritje për mbylljen e kufijve dhe kufizim të numrit të refugjatëve, ndërsa zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert deklaron se ka ende nevojë për bisedime./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kriza-e-refugjateve-mund-te-coje-ne-rrezimin-e-qeverise-gjermane/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala