Kriza e re e Europës

Autori:Avdyl Pajaziti

Ndërsa Evropa po përballet me një krizë në rritje e të shpejtë të emigracionit, të shkaktuar nga lufta, persekutimi dhe varfëria në një hark konfliktesh nga Afrika Perëndimore në Afganistan, zyrtarët evropianë, madje edhe ata të nivelit të lartë, kanë filluar të pranojnë atë që është e qartë: sistemi i menaxhimit të refugjatëve në rajon, nuk funksionon më.

Globalisht, bota po përjeton një periudhë të rëndësishme destabiliteti dhe konfliktesh, të cilat kanë prodhuar atë që Kombet e Bashkuara tashmë e përshkruajnë si “pishina” më e madhe e refugjatëve, azilkërkuesve dhe personave të zhvendosur, që nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Në Evropën Perëndimore, vendet po përballen me valën më të madhe të azilkërkuesve dhe refugjatëve, që nga fillimi i viteve ‘90, kur lufta në ish-Jugosllavi dhe shembja e Bashkimit Sovjetik, nxitën një emigrim masiv drejt perëndimit.

Ndërsa kriza e re po zhvillohet, kombet e Evropës duken të tronditura, duke u përpjekur me vonesë të mbyllin vrimat në sistemin e tyre të azilit dhe mbajnë nën kontroll, atë që është shndërruar në një urgjencë humanitare. Boshllëqet më vdekjeprurëse mund të jenë në vijën e parë në Itali, ku, siç thonë kritikët, Roma i dha fund një operacioni të kushtueshëm, por efektiv, shpëtimi të marinës ushtarake nëntorin e shkuar, duke i lënë vend përpjekjeve shumë më të reduktuara pan-evropiane, që kanë dështuar të parandalojnë një numër në rritje të vdekjeve në Mesdhe.

Tragjedia më e rëndë e emigrantëve në rajon – përmbysja e një anije të djelën e shkuar, ku u mbytën afro 850 njerëz – e ka bërë tashmë muajin prill, më vdekjeprurësin e kësaj krize.

Por problemet janë shumë më të thella, sesa imazhet e tmerrshme të mbytjeve dhe çantave me kufoma në portet evropiane. Në një kohë që numri i aplikantëve për azil rritet, një sistem evropian i vënë në zbatim prej disa dekadash, duke ofruar shtëpi dhe akomoduar njerëz që largoheshin nga lufta dhe persekutimi, tashmë është dëshmuar si i papërshtatshëm.

Kjo është më e dukshme në Greqi, ku qendrat e pritjes kanë kushte aq të tmerrshme, saqë një gjykatë evropiane vendosi që azil-kërkuesit që kapeshin në përpjekje për t’u larguar nga vendi, të mos ktheheshin më mbrapsht. Grupimet e të drejtave të njeriut, citojnë abuzimin e shfrenuar me refugjatët në Bullgari. Dhe koha e procedurave të azilit në Evropën Perëndimore, është zgjatur shumë përtej 6 muajve, që përcaktohen me ligj nga Bashkimi Evropian, duke lënë shumë njerëz të bllokuar në një harresë ligjore. (Kombet e Bashkuara e përkufizojnë një azil-kërkues, si dikush që thotë se është një refugjat, por pretendimi i të cilit nuk është pranuar).

Qindra e mijëra azilkërkues kanë mësyrë përmes kufijve porozë të Evropës, duke u zhvendosur nga vendet hyrëse si Italia drejt vendeve të tilla si Gjermania, ku po krijojnë sfida të reja dhe tensione. Sipas ligjit të BE, azil-kërkuesit janë të mandatuar të qëndrojnë në vendet që ata kanë hyrë më së pari, për të pritur trajtimin e rastit të tyre. Por ndërsa sistemi nuk po funksionon më, Gjermania – ekonomia më e madhe e Evropës, qindra milje larg Mesdheut – po lodhet të menaxhojë numrin më të madh të azilkërkuesve në botën e industrializuar.

Gjermania ka ezauruar tashmë aftësinë e saj, për të strehuar emigrantët që vijnë në qytetet e saj të mëdha, duke u kthyer tanimë tek komunitetet ishullore, siç është një fshat i vogël në ish-lindjen komuniste, që dikur i mbijetoi fabrikave të qymyrit të Adolf Hitlerit. Grupe të rinjsh kohët e fundit, i vunë zjarrin një qendre refugjatësh, duke risjellë në kujtesë fillimin e viteve ‘90, kur një valë sulmesh të ngjashme, goditi qendra të tilla, si dhe shtëpitë për punëtorët e huaj.

“Ata nuk e kanë vendin këtu”- murmuriti Roni Sejfert, një 39-vjeçar, kopshtar me kohë të pjesshme, teksa po pinte një birrë jashtë një supermarketi javën e kaluar. Pasi u gjend nën kritika të ashpra, pas fundosjes vdekjeprurëse të së dielës, Evropa duket se është nxitur të ndërmarrë disa veprime. Të enjten, udhëheqësit e BE u mblodhen për një samit urgjent, duke marrë parasysh një plan 10-pikësh, që mund të sjellë një rrisi tek aksionet e kërkim -shpëtimit dhe të fillojë të adresojë të metat e tjera të thella të sistemit.

Por ka ende rezistencë ndaj planeve, që mund të çojnë në pranimin në shkallë të gjerë të azilkërkuesve, dhe aktivistët frikësohen se rajoni mund të kthehet sërish në pozicionet e vështira në të cilat u gjend, gjatë valës së fundit të madhe të emigrantëve. Asokohe, thuajse 700 mijë azilkërkues mësynë Evropën në vitin 1992. Duke ardhur kryesisht nga toka përmes Turqisë dhe kufijve problematikë të Ballkanit, dhe në pjesë të tjera lindore të kontinentit, pjesa më e madhe e emigrantëve ishin evropiano-lindorë, por pati edhe kurdë, iranianë, afrikanë, srilankas dhe të tjerë. Aq e madhe ishte vala, sa vendet në rajon i forcuan ligjet e tyre të azilit, duke e bërë më të vështirë për të fituar statusin ligjor.

Kritikët thonë se tani zyrtarët e BE, janë më pak të përqëndruar në ndihmën e të sapoardhurve, sesa tek gjetja e mënyrave për të luftuar trafikun e migrantëve në rrënjët e tij në Libi – ku kolapsi i rendit dhe ligjit, i ka dhënë hov rrugëve të reja të kontrabandës, nga rajonet problematike në Afrikën sub-Sahariane dhe Lindjen e Mesme.

Ekspertët e emigracionit, druhen se përpjekjet evropiane, që tanimë janë duke u shqyrtuar – duke përfshirë një operacion të planifikuar, për të shkatërruar flotën e anijeve kontrabandiste – mund të izolojnë 1 milion emigrantë potencialë në bregdetin e e rrezikshëm libian. “Ju nuk mund të mbyllni Mesdheun”-tha Medlin Garlik, një ish-zyrtare në Zyrën e Komisionerit të Lartë të OKB për Refugjatët, dhe një eksperte mbi refugjatët në “Institutin e Politikave të Migrimit” në Bruksel.

E megjithatë, politikanët në rajon, në shkallë të ndryshme, po përballen me një publik të përçarë, mes të qënit zemërhapur dhe dëshirës për t’iu mbyllur derën emigrantëve. Një pjesë e mirë e të ardhurve, po i ikin luftës civile në Siri apo sulmeve nga grupeve e armatosura afrikane në Sudanin Jugor në Nigeri. Por një pjesë e madhe, thonë zyrtarët, vijnë ndërkohë për arsye ekonomike, duke shpresuar se proceset e apelit, mund t’u japin atyre një mundësi për të ndërtuar një jetë emigranti, në disa nga vendet më të pasura në botë.

Më shumë se çdo komb tjetër në rajon, Gjermania është përballur me këtë fluks, duke sugjeruar rrugën kuturu, që kontinenti po ndjek për menaxhimin e krizës. Ky komb prej 82 millionë banorësh, ka përthithur më shumë azil-kërkues se çdo vend tjetër në rajon vitin e kaluar, duke strehuar 173.000 mijë syresh. Për krahasim, Shtetet e Bashkuara, me një popullsi gati 4 herë më të madhe popullsisë, ka pranuar vetëm 121.200 kërkesa për azil në vitin 2014, kryesisht nga Meksika dhe vendet e Amerikës Qendrore. Vetëm muajin e kaluar, Gjermania rregjistroi 28.681 aplikantë të rinj – një rritje me 192 përqind, gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Vala në rritje e azilkërkuesve, është duke e testuar këtë komb, ku faji për mizoritë e Luftës së II Botërore ka nxitur një mirëpritje për të të ardhurit, madje edhe kur të tjerët haptazi i refuzojnë ata. Gjermania, nën rregulloren e BE, mund të rikthehejë kërkuesit e azilit në pikat e tyre të hyrjes – kryesisht në Itali – por ka zgjedhur kryesisht të mos e ushtrojë këtë të drejtë, duke patur parasysh se kriza e refugjatëve tashmë ka sfiduar ekonomikisht kombet evropiane jugore.

Megjithatë, zyrtarët këtu janë shumë kritikë ndaj vendeve të tjera të Evropës, të cilët kanë ofruar pak ndihmë për të ardhurit e rinj. “Sistemi evropian i azilit, nuk po funksionon”- tha prerë komisioneri gjerman për emigracionin, Ajdan Özoguz, i cili ka marrë kërcënime me vdekje në Gjermani për mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve. “Disa vende janë duke bërë shumë pak. Ne jemi një nga vendet më të pasura dhe duam të ndihmojnë. Por nuk është e drejtë që Gjermania, Suedia dhe Franca të marrin 50 për qind të refugjatëve, ndërsa vendet e tjera nuk bëjnë asgjë”.

Kështu që shumë azil-kërkues, që vijnë në Gjermania, janë tashmë të detyruar të gjejnë strehim në komunitetet e vogla si Tröglitz, pjesë e zone që është bërë epiqendra e një lëvizje kundër emigrantëve të njohur si Pegida. “Nëse kjo qendër, është vetëm për afrikanë të zinj, ka një shkollë fillore dhe një kopsht afër, dhe disa njerëz do të kenë frikë nga kjo”- u ankua Stefen Tiel, një aktivist lokal i partisë së ekstremit të djathtë, Partia Kombëtare Demokratike e Gjermanisë, i cila ndihmoi në organizimin e një serie protestash, kundër planeve për akomodimin e refugjatëve këtu.

Dhjetra banorë iu bashkuan këtyre protestave, duke bërë që në fund kryetari i komunës, që pati mbështetur planet për një qendër refugjatësh në qytet, të jepte dorëheqjen në muajin mars.

Një javë më vonë, një zjarr shpërtheu në godinën që ishte kthyer në një shtëpi refugjatësh – një incident, të cilin policia po e heton si një zjarrvënie të qëllimshme. Disa banorë, si p.sh Margit Kortals, një hoteliere 59-vjeçare, nuk shqetësohet për vonesën e ardhjes së refugjatëve. “Ata kanë një mentalitet krejtësisht të ndryshëm, për të mos folur për besimit të tyre”-thotë ajo. Ajo është zemëruar, për shkak se rezistenca lokale po i jep Tröglitz një reputacion të keq. “Çfarë keni për të thënë për qytetin tuaj nazist?”- më tha një një mysafir në hotel kohët e fundit.

Megjithatë, tensionet mbi azilkërkuesit, po ngrihen në mbarë vendin. Vitin e kaluar, grupet e të drejtave të njeriut thanë se ka patur një rritje të dukshme të sulmeve kundër emigrantëve, duke përfshirë 35 incidente të zjarrvënies në qendrat e refugjatëve. Ka ndërkaq edhe probleme me sigurinë, dhe mbikëqyrjen e qendrat që strehojnë azilkërkuesit.

Për shembull, shtatorin e shkuar, një video amatore dhe disa fotografi tregonin rojet e një qendre refugjatësh në Vesfalinë në Veriore, duke abuzuar me azilantët, përfshirë  vënien e këmbës në qafën e njërit prej tyre, ndërsa ai ishte në dysheme, imazhe këto që të kujtojnë abuzime me të burgosurit në Abu Graib të Irakut.

Megjithatë këto realitete, bien në kontrast me qëndrimin e shumë përhapur e të përqafuar nga shumë gjermanë, të cilët e kanë parë atë si një detyrë kombëtare ndihmën ndaj të ardhurve të përvuajtur. Nëse kombe si Libani, mund të pranojnë miliona refugjatë, argumentojnë avokatët, me siguri që fuqi ekonomike e Evropës, mund të thithë disa qindra mijëra.

Disa gjermanë, kanë shkuar aq larg sa kanë ftuar azil-kërkuesit të jetojnë në shtëpitë e tyre, ndërsa ata presin përgjigjen për kërkesën e tyre që mund të marrë disa muaj ose më gjatë. “Gjermania ishte përgjegjëse, për krijimin e aq shumë refugjatëve në Luftën e Dytë Botërore”-ka deklaruar Markus Nirth, ish-kryetari i komunës së Tröglitz dhe për një kohë të gjatë një misionar protestant. “Tanimë na takon neve të marrim përgjegjësi për refugjatët që vijnë, në këtë valë të re të madhe”. Por edhe Nirth, e pranon se kriza e refugjatëve që po paraqitet qyteza si Tröglitz dhe komunitetet përreth, ka çoroditur vendasit, të cilët ishin mësuar me një jetë të qetë dhe homogjene të fshatit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kriza-e-re-e-europes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala