Kriza e borxhit grek po kërcënon Europen

Autori:Avdyl Pajaziti

Kriza e borxhit grek po kërcënon ëndrrën e një Europe të bashkuar. Kjo ëndërr do të përballet me një provë të re, kur grekët të votojnë të dielën nëse do të pranojnë reforma të tjera ekonomike dhe masa shtrënguese.

Mospagimi nga Greqia i këstit prej 1,5 miliardë Euro ndaj FMN-së, do të bënte që Europa të përballej me një krizë të madhe politike dhe ekonomike.

Rezultati do të varet pjesërisht, nga referendumi që qeveria greke ka në plan të mbajë më 5 korrik.  Referendumi do të jetë një votë pro, ose kundër masave shtrënguese.

Ja si e sheh votimin e së dielës Professor Martin Edwards në Universitetin Seton Hall:

“Çështja e referendumin është se ai është pjesë e krizës dhe jo pjesë e zgjidhjes së saj. Ideja ishte se Greqia kualifikohet për një kontingjent huash nga Troika, pra BE-ja, Banka Qendrore Evropiane dhe FMN-ja, për sa kohë që të zbatohen reformat, por kjo nuk ka ndodhur ende.”

Gjatë recesionit që preku mbarë botën, Greqia ndeshi me probleme të mëdha ekonomike. Ekonomia u dobësua, papunësia u rrit, ndërsa qeveria vazhdonte t’i paguante pensione dhe përfitime të mëdha popullit.

Edhe pas shkurtimeve të mëdha buxhetore, Greqia nuk i paguante dot faturat dhe varej nga kreditë për të mbijetuar. Tani  huatë janë ndërprerë dhe votimi i së dielës mund të mos sjellë më rifillimin e tyre.

\”Nuk do të më çudiste fakti në se njerëzit do të votonin kundër në referendum. Por kjo nuk do ta rregullonte në asnjë aspekt problemin e Greqisë. Fatura përsëri duhet paguar. Pastaj, kjo nuk ka për t’i dhënë mundësi Greqisë të ketë akses tek ndonjë fond për sistemin e vet bankar. Ekonomia greke në fakt ka për t’u paralizuar deri në gjetjen e një zgjidhjeje politike.\”

Edhe një votë pro masave shtrënguese, nuk do ta zgjidhte dot problemin. Analistët thonë se nëse grekët votojnë pro, mundet që qeveria të shpërbëhet, duke mos mbetur askush të negociojë me FMN-në.

Qeveria aktuale nën udhëheqjen e kryeministrit Alexis Tsipras, është bërë objekt kritikash në shumë drejtime.

John O’Shea, drejtor i Kompanisë “Global Alliance Securities”, e quan këtë një tragjedi të vërtetë greke.

“Mendoj se qeveria greke, tepër e re, e teproi me pretendimet e saj. Qeveria bëri spastrime, duke mos lënë shumë teknokratë, apo njerëz me pervojë. Qeveria e re ishte pa eksperiencë dhe kriza ishte një ngarkesë e madhe për të.”

Shumica e vëzhguesve thonë se referendumi nuk do të shënojë fundin e krizës. Më së shumti, ajo mund të shënojë fillimin e një rruge të gjatë për stabilizimin e ekonomisë greke dhe ruajtjen e unitetit evropian.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kriza-e-borxhit-grek-po-kercenon-europen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala