Kritikohet puna e Begzad Sinanit

Autori:Gazeta Fjala

Begzad Sinani, Kryetar i Komunës së Kamenicës, është duke dështuar në përmbushjen e premtimeve të tij elektorale dhe qeverisja e tij karakterizohet me keqpërdorime dhe paligjshmëri.

Kështu të paktën e ka vlerësuar punën e tij organizata Fortesa, e cila përmes një komunikate për media ka numërar shkeljet e kryetarit Sinani tani kur po afrohet fundi i gjysmës së mandatit të tij.

“Vlerësojmë se këto afërsisht dy vjet janë çuar dëm nga qeverisja e Begzad Sinanit, duke mos arritur ta bëjë asnjë ndryshim të prekshëm për qytetarët. Njerëzve iu është dashur vetëm pak muaj të kuptojnë se kjo qeverisje po e vazhdon modelin e paraardhësve, me keqpërdorime e paligjshmëri,” thuhet në komunikatë.

Amir Jakupi nga kjo organizatë ka thënë se qindra projekte të planikuiara nga Kryetari Sinani kanë mbetur mashtrime elektorale të zgjedhjeve të vitit 2013, shkruan Gazeta Fjala.

Ndër të tjerash, në komunikatë përmendet premtimi për një administratë publike efikase dhe politikisht neutrale.

“Kjo administratë, jo vetëm që është e paaftë, por është edhe e korruptuar. Edhe gjatë vitit të dytë të qeverisjes, hovi i luksit nuk është ndalur. Ashtu sikurse shumica e premtimeve të krerëve komunalë që janë tretur si kripa në ujë, edhe zotimi për uljen e trendit të blerjeve dhe përdorimit të veturave zyrtare nuk është mbajtur,” thuhet në komunikatë.

Sipas gjetjeve të kësaj organizate, komuna vetëm vitin e kaluar ka shpenzuar rreth 50 mijë euro për blejren e veturave, “të cilat në shumicën e rasteve përdoren për qëllime private.”

“Arsimi është sfera ku kjo qeverisje ka bërë shumë shkelje dhe abuzime në këtë fillimvit shkollor. Janë evidentuar plotë 17 punësime pa konkurs dhe procedura në shkollat e Kamenicës. Arsimi është bërë strehë e ngrohtë për familjarët e zyrtarëve komunalë dhe militantëve partiak,” thuhet në komunikatë./Gazeta Fjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kritikohet-puna-e-begzad-sinanit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala