Kriteret e dyfishta të policisë për trajtimin e protestuesve në Kosovë (Video)

Autori:Avdyl Pajaziti

Të gjitha strukturat drejtuese të Policisë së Kosovës këmbëngulin që nuk marrin urdhra politikë, por sërish dëshmojnë se si policia me raste është mjaft e kujdesshme në intervenim.

Në kohën kur policët po ndiqnin rreth 300 protestues të opozitës, për të liruar rrugët e Prishtinës, në hyrje të Zveçanit, të tjerë policë nuk reaguan fare për t’i liruar rrugën eskortës së ministrit Avdullah Hoti, raporton KTV.

Policët e Kosovës u zmbrapsën para protestuesve serbë, disa herë më të pakët në numër sesa ata të Prishtinës, duke e anuluar kështu vizitën e ministrit Hoti, i cili ishte nisur për në pikën kufitare në Jarinjë.

Ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, ka thënë se duhet pranuar që për shkak të ndjeshmërisë politike, policia nuk intervenon dot njësoj në tërë Kosovën, ndërsa i pyetur nga KTV-ja nëse i ka shprehur keqardhje ministrit Hoti, Hyseni ka thënë se do ta bëjë këtë më vonë.

Mosintervenimi i policisë në veri është cilësuar si shkelje e ligjit edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut:

“KMDLNj konstaton se në këtë rast kemi shkelje flagrante të ligjit dhe zbatim të standardeve të dyfishta, ku policia diku përdor edhe dhunë për zbatim të ligjit, ndërsa në veri të Kosovës, policia jo që nuk e zbaton ligjin, por rreshtohet në anën e ekstremistëve dhe të dhunuesve të ligjit, duke e penguar lirinë e lëvizjes dhe sigurinë fizike të autoriteteve të larta shtetërore”.

KMDLNJ ka kërkuar hetim edhe ndaj policisë dhe protestuesve për sjelljet e të dyja palëve.

Gjatë protestës, policia ka intervenuar brutalisht edhe ndaj gazetarit Labinot Balaj, i cili ndonëse nuk kishte kundërshtuar askënd, pësoi lëndime në kokë nga goditjet e policëve, për të cilin veprim shprehu keqardhje edhe ministri.

Ndërkohë që për vetë gazetarin Balaj, intervenimi i policisë ndaj tij mbetet i pajustifikueshëm.

Ministri Hyseni ka thënë se vetë gazetarët duhet të jenë më të kujdesshëm gjatë protestave të tilla, kur policia intervenon gjerësisht.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kriteret-e-dyfishta-te-policise-per-trajtimin-e-protestuesve-ne-kosove-video/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala