Krasniqi: “Vetëm dy zgjidhje për dalje nga kriza”

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Këshillit Kombëtar të “Nismës për Kosovën” dhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë se ekzistojnë dy zgjidhje për tejkalimin e krizës politike në vend, tërheqja e Qeverisë nga Marrëveshja për Asociacionin dhe nga ajo për Demarkacionin, ose të kërkohet vendimi i popullit, qoftë në referendum ose në zgjedhje të parakohshme.

Këto qëndrime Krasniqi i ka dhënë në një intervistë për gazetën “Zëri”. Ai ka thënë se nuk pret që nga ndërhyrja e presidentes, Atifete Jahjaga, do të gjendet ndonjë zgjidhje, pasi Krasniqi ka vlerësuar se problemi ka shkuar shumë larg.

Ish-kryeparlamentari e ka vlerësuar si të gabuar thirrjen e seancës së Kuvendit nga Kryesia, pasi ai ka thënë se opozita është vendosur që të pamundësojë vazhdimin e punës në Kuvend derisa të tërhiqet Marrëveshja për Asociacionin dhe ajo për Demarkacionin me Malin e Zi. Ndërsa, sipas tij, kundërshtimi do të bëhet konform asaj që e kërkon situata.

“Kryetari dhe Kryesia e Kuvendit kanë gabuar që e kanë thirrur mbledhjen e Kuvendit edhe për faktin se Kuvendi nuk është krijuesi i problemit. Problemi nuk mund të zgjidhet në Kuvend. Tentimi për të thirrur mbledhjen, nuk është përpjekje për zgjidhjen e problemit, por për përkeqësimin e situatës politike. Kriza politike duhet të zgjidhet me urti. Se a kemi urti politike të mjaftueshme, kjo lë për të dëshiruar shumë. Kam bindjen se ata që e kanë këshilluar kryetarin e Kuvendit për të thirrur mbledhjen, nuk ia kanë dashur të mirë”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/krasniqi-vetem-dy-zgjidhje-per-dalje-nga-kriza/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala