Krasniqi ua thotë në fytyrë bankave, “Po abuzoni me kamata të larta”

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka shprehur edhe sot para përfaqësuesve të bankave pakënaqësinë me normat e interesit të kredive për fermerët.

Në një konferencë me temë “Financimi i Progresit në Kosovë”, të organizuar nga Shoqata e Bankave të Kosovës, Krasniqi tha se kjo qasje e bankave duhet të ndryshojë.

“Dua të jem i sinqertë me ju e të them se unë jam i pakënaqur me normën e interesit që ju keni për sektorin e bujqësisë, e që në përgjithësi është ende dyshifror edhe pse ka variabilitet. Madje është dyshifror edhe në rastet kur ka një garanci nga një fermer përfitues i granteve nga Ministria e Bujqësisë.

Dhe për mua kjo është paksa befasuese, sepse besoj në momentin që një aplikues për grante bëhet përfitues, ai nënshkruan një kontratë me qeverinë dhe aty shkruan se sa mjete ai fermer do të marrë, pasi ta ketë realizuar projektin. Kjo për juve bankat do të duhej të ishte një sinjal për të ofruar lehtësira për kërkuesin e kredisë që është përfitues i grandit, sepse edhe për juve në këtë rast risku është shumë – shumë më i vogël”, ka thënë ai ndër të tjera.

Ai ka përmendur arsye se pse fermerët duhet të mbështeten më shumë me kredi më interes të ulët.

“Një fakt tjetër që përben lajm jo të mirë për gjithë sektorin e bujqësisë është fakti se ne vazhdojmë të kemi pjesëmarrjen e kredive bujqësore në nivele të dhimbshme, është nën 4 %, dhe po flasim për punëdhënësin ndoshta më të madh në vend dhe rreth 61 % të popullsisë së Kosovës që jeton në zonat rurale. Ka një qasje hezituese ndaj fermerëve, dhe projekteve që janë bujqësore. E kuptoj edhe vlerësimin e riskut që bëjnë bankat kur mendojnë për bujqësinë, por besoj se është interesi ynë që të zhvillojmë e ta ndihmojmë këtë sektor sepse me një logjikë të tillë efekti i kredive që jepen tani për tani nuk është i madh. Përveç faktit me fermerët përfitues, me lejoni të përmend edhe të dhëna të tjera që tregojnë se pse duhet ta mbështesni më shumë këtë sektor dhe t’i lehtësoni procedurat dhe zbrisni kamatat. Edhe sipas raporteve të Bankës Qendrore, fermerët janë më të rregullt në kthimin e kredisë, se sa të gjithë ata që marrin për çështje të tjera dhe kjo do të duhej të ishte sinjal që bankat të kenë një qasje më mirëbësuese ndaj fermerëve”, ka shtuar ai.

Se interesi është i lartë për kreditë bujqësore e kanë konfirmuar edhe vet përfaqësues të bankave.

Robert Wright, zëvendëskryesues i Shoqatës së Bankave në Kosovë dhe drejtor i Bankes Raiffeisen tha se norma e interesit për kreditë bujqësore është rreth 10.5% tek bankat dhe deri në 25 % tek institucionet mikrofinanciare.

Në këtë konferencë u fol edhe për sigurimet bujqësore, dhe hezitimin e sektorit të sigurimeve që të sigurojnë fermat.

Përfaqësues të Byrosë Kosovare të Sigurimeve tha se tek tash janë vetëm 2 kompani që janë licencuar për sigurime bujqësore. /lajmi.net

– See more at: http://lajmi.net/ministri-krasniqi-ua-thote-troc-bankave-po-abuzoni-me-kamatat-e-larta-per-fermeret/#sthash.uLT2H2zb.dpuf

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/krasniqi-ua-thote-ne-fytyre-bankave-po-abuzoni-me-kamata-te-larta/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala