Krasniqi: Të kultivojmë pemë e perime – grurin mund ta importojmë

Autori:Gazeta Fjala

Përveç përfitimeve politike dhe ekonomike me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA), do të përfitojë edhe sektori i bujqësisë sepse janë mbi 2 mijë e 500 produkte që nuk do t’i nënshtrohen tarifave doganore nga Bashkimi Evropian.

Kështu ka thënë në një intervistë për KosovaPress, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi. Ai tha se do të ishte mirë që hektarët që aktualisht në Kosovë mbjelljen me drithëra të zëvendësohen me mbjelljen e frutave, pemëve dhe perimeve. Këto kultura, sipas tij do të sjellin shumë më shumë përfitime vendit.

“Këtë vit ne kemi pasur diku 85 mijë hektarë të mbjella me grurë prej të cilave kemi pasur një rendiment mesatarë prej 3.5 tonë në hektarë. Që përfundimisht kanë mbuluar rreth 70 për qind të konsumit të Kosovës. Nëse ne do të zëvendësonim ta zëmë vetëm 25 mijë apo 30 hektar që do të kultivohen me grurë dhe t’i kultivojmë me perime dhe me fruta në një periudhë 3 deri në 5 vjeçare përfitimet do t’i kishim dhjetë fish më të mëdha. Sepse kostoja e importit të grurit është shumë më e vogël se sa kostoja e importit të pemëve dhe primeve të cilat konsumohen shumë më shumë. Grurin ne shumë lehtë mund ta importojmë, qoftë prej Hungarisë, qoftë prej Bullgarisë që janë shtete anëtare të BE-së dhe që kanë cilësi të jashtëzakonshme të grurit. Ndërsa, perimet dhe pemët kur i importojmë po ashtu jo vetëm prej shteteve të BE-së por prej shumë vendeve të tjera të largëta gjë që me të vërtete nuk ka ndonjë kuptim. Sepse Kosova e ka tokën aq të mirë sa që mund t’i rrisim të gjitha këto kultura bujqësore këto produkte të cilat ne zakonisht i konsumojmë”, tha Krasniqi.

Ai ka treguar se me MSA-në do të përfitojnë bujqit dhe se janë mbi 2 mijë e 500 produkte që nuk do t’i nënshtrohen tarifave doganore nga Bashkimi Evropian.

“Një ndër sektorët kryesor që do të përfitojnë nga MSA-ja është bujqësia. Gjithsesi bujqësia do të përfitoj për arsye se qysh nga hyrja në fuqi e MSA-së janë mbi 2 mijë e 500 produkte të ndryshme bujqësore dhe agro-ushqimore të cilat nuk do të kenë tarifa doganore nga Bashkimi Evropian. Me disa përjashtime të vogla por edhe për disa të tjera do të ketë një ngritje të kuotave siç është rasti ta zëmë i verave të ndryshme apo mishit të peshkut siç është trofta, krapi e kështu me radhë”, tha Krasniqi.

Krasniqi po ashtu tha se shumë produkte vendore tashmë janë në tregun Evropën dhe se do të fokusohen që të rrisin nivelin e prodhimtarisë kështu edhe duke e përmirësuar bilancin tregtarë.

“Pra një fokusim të ri jo vetëm tek rritja e prodhimtarisë që është jashtëzakonisht e rëndësishme edhe për nivelin e bilancit tregtarë të cilin ende e kemi negative mjaftë. Por edhe tek pjesa e ngritjes së cilësisë së produkteve tona veçanërisht atyre të përpunuara në mënyrë që të jenë konkurrente në tregun Evropian. Ka shumë produkte që do të përfitoj. Do të jenë vet fermerët që do të përfitojnë po para së gjithash do të përfitojnë shumë ato kompani të përpunimit të prodhimeve bujqësore, qofshin fruta, perime, verëra, e kështu me radhë të cilët tashmë kanë krijuar një përvojë me eksportim në Bashkimin Evropian dhe do të kenë mundësi të tjera”, tha Krasniqi.

Krasniqi ka shtuar se MSA do të ndikoj edhe në nxitjen e investimeve të huaja.

“Përparësi tjetër e MSA-së do të jetë edhe hapja e mundësisë për investime të huaja direkte. Sepse sot nëse prodhimet e Kosovës mund të kenë një qasje kaq preferenciale në tregjet e BE-së ku janë mbi 500 milionë konsumator, atëherë normalisht edhe kompanitë e huaja do të kenë shumë më shumë atraktivitet për të investuar në bujqësinë e Kosovës. Sepse produkteve e tyre do të kenë mundësi që të shiten te një treg jashtë zakonisht të madh.”, tha Krasniqi.

Ai po ashtu tha se ka produkte kosovare që tashmë janë prezentë në tregjet e BE-së. Gjatë këtij viti, sipas tij, janë prodhuar 400 hektarë mbi 90 për qind janë eksportuar. Ndërsa, çmimi mesatarë i një kilogrami mjedër këtë vit ka qenë në eksport 1 euro e 80 centë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/krasniqi-te-kultivojme-peme-e-perime-grurin-mund-ta-importojme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala