Krasniqi: Problem janë marrëveshjet e Brukselit e jo gazi lotsjellës

Autori:Avdyl Pajaziti

Ish – kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i Këshillit Kombëtar të “Nisma për Kosovën”, Jakup Krasniqi, vlerëson se Rregullorja e Punës së Kuvendit, parasheh që deputetët të njoftohen së paku tri ditë përpara mbledhjes plenare.

Ai ka thënë për Telegrafin se sipas frymës së Rregullores (ligjit), por edhe frymës se Kushtetutës, mbledhja e mbajtur sipas tij, pa njoftimin e deputetëve të opozitës duhet të shpallet e pa ligjshme.

“Sipas Rregullores se Punës së Kuvendit, për mbledhjet e Kuvendit, deputetët duhet të njoftohen se paku tri ditë pune përpara mbledhjes plenare. Njoftimi ju dërgohet të gjithë deputetëve të Kuvendit. Sipas frymës së Rregullores (ligjit), por edhe frymës së Kushtetutës, mbledhja e mbajtur pa njoftimin e deputetëve të opozitës, duhet të shpallet e pa ligjshme”, ka thënë ndër tjerash Krasniqi.

Krasniqi ka komentuar edhe ngjashmëritë në mes seancës së vitit 2013, kur ishte ratifikuar marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë (në këtë kohë Krasniqi ishte kryetar i Kuvendit), dhe intervenimin e sigurimit të Kuvendit për të intervenuar ndaj deputetëve të VV-së, të cilët e pengonin mbajtjen normale të seancës.

Ai ka thënë se përpjekja për të barazuar mbledhjen e vitit 2013 me seancën e fundit të Kuvendit është e gabuar për faktin se kemi situata të ndryshme.

“Atëherë Kuvendi e kishte të drejtën për të marrë vendimin final, në rastin e tanishëm Kuvendit i është marrë e drejta për të marrë vendimin. Madje atëherë opozita ishte e ndarë, shumica ishte për votimin. Tani kemi opozitën e bashkuar e cila ka dhënë alternativë: Tërheqje nga marrëveshja e 25 gushtit ose referendum apo zgjedhje”.

Sipas Krasniqit, koalicioni qeverisës i ka numrat për të qeverisur, por nuk e ka të drejtën ta copëtoj hapësirën e Kosovës.

“Pra, problemi është politik dhe i krijuar jashtë Kuvendit dhe duhet të zgjidhet atje ku është krijuar, te qeveria”, ka theksuar ai për Telegrafin.

Krasniqi vlerëson se reagimi i opozitës përmes gazit lotsjellës është i dëmshëm për sytë e njeriut, por gazi lotsjellës sipas tij, duhet parë si protestë për të parë e ndaluar dëmin e madh që i është bërë Kosovës përtej një mandati qeverisës, madje edhe përtej një brezi.

“Pra dëmi që ka shkaktuar nënshkrimi (vënia e inicialeve) i 25 gushtit është i pa riparueshëm për breza, ose do ta krijoj një Republika Srpska. Pra, problem janë marrëveshjet e Brukselit e jo gazi lotsjellës”, ka shtuar Krasniqi. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/krasniqi-problem-jane-marreveshjet-e-brukselit-e-jo-gazi-lotsjelles/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala