Krasniqi: Për 2500 produkte bujqësore kosovare hiqen tarifat doganore të BE-së

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka thënë se janë mijëra produkte bujqësore që do të përfitojnë lehtësira doganore dhe sasiore në Bashkimin Evropian, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

“Janë mbi 2500 produkte bujqësore për të cilat do të hiqen tarifat doganore të BE-së dhe po ashtu për një pjesë të tyre, si p.sh. verërat, do të rriten dukshëm kuotat e eksportit pa tarifa nga Kosova në BE. MSA-ja do të hap mundësinë edhe të investimeve të huaja direkte në bujqësi, meqë investitorët potencialë tashmë do të kenë mundësi të qasjes në një treg qindra herë më të madh se sa tregu i Kosovës. Kjo, natyrisht, do të rrisë punësimin në sektorin e bujqësisë dhe do të rrisë konkurrencën e cila ndikon drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë së produkteve, që është një zhvillimi i domosdoshëm për të qenë konkurrent në tregun evropian”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për Epoka e re.

Ai ka thënë se janë disa produkte që mund të gjejnë treg shumë të mirë në Evropë.

“Ka shumë rrëfime suksesi në eksport drejt Evropës të produkteve tona. Shembuj janë mjedrat, dredhëzat, patatet, produktet e përpunuara nga pemët dhe perimet, verërat etj. Këto produkte, pore dhe të tjera, që po tregojnë rritje të vazhdueshme të prodhimit dhe cilësisë janë ato që do të mund të gjejnë treg të mirë në Evropë. Ne do të punojmë shumë që të rrisim prodhimtarinë dhe cilësinë e tyre, por edhe të produkteve të tjera që janë të kërkuara nga konsumatori evropian”, ka shtuar ai, teksa ka ftuar fermerët dhe përpunuesit që të vazhdojnë në rritjen e cilësisë ushqimore, sipas tij, jo vetëm për tregun evropian por edhe atë vendor. /lajmi.net

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/krasniqi-per-2500-produkte-bujqesore-kosovare-hiqen-tarifat-doganore-te-be-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala