Krasniqi: Opozita u detyrua, unë nuk do të lejoja këtë situatë

Për ish -kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqi, skenat e sotme në Kuvendin e Kosovë janë të pakëndshme, por sipas tij problemi nuk është i sotëm, ai buron nga i gjithë sezoni vjeshtor parlamentar.
Në Rubikon të KTV-së, Krasniqi ka arsyetuar opozitën me atë që e kanë humbur besimin në deputetët e shumicës për shkakun e Gjykatës Speciale dhe Isa Mustafën dhe zëvendësin e tij tij Hashim Thaçit, transmeton Koha.net.
“Ka humbur besimi i opozitës karshi deputetëve pas miratimit të Gjykatës Speciale, pasi është parë se ata nuk po e shikojnë interesin e shtetit. Veprimi i opozitës është i imponuar nga sjellja e vetë pozitës e në veçanti nga kryeministri dhe zëvendësi i tij”.
Krasniqi theksoi se një situatë të tillë ai nuk do ta lejonte të ndodhte brenda Kuvendit. Por, ka refuzuar ta krahasojë situatën e sotme me atë të 27 qershorit të 2013 kur e quajti veprimin e opozitës tentim për anarki.
“Mos t’i krahasojmë veprimet e atëhershme me këto të sotmet. Janë dy çështje të cilat nuk lejojnë të tërheqim paralele. E para, atëherë Kuvendi ka vendosur vetë për punën e ratifikimit të marrëveshjeve, ndërsa në situatën e tanishme, Qeveria është ajo që ka marrë vendime pa konsensus. Dhe e dyta, atëherë opozita ka qenë e ndarë, pra nuk kemi pasur një konsensus të opozitës.”