Krasniqi: Momenti i fundit që të ndërpriten bisedimet me Serbinë

Autori:Avdyl Pajaziti

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka reaguar lidhur me takimin e fundit në Bruksel, ndërmjet kryeministrit Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Krasniqi tha se është momenti i fundit që Qeveria e Kosovës t’i ndërpres sa më parë bisedimet dhe të arrihet një konsensus nacional në shkallë kombëtare, për të dhënë përgjigjen meritore se kur e si të vazhdoheshin bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Lexoni të plotë reagimin e Krasniqit:

Sipas medieve serbe, Vuçiq para syve të Evropës i paska thënë Isa Mustafës: “Mustafa, nuk ka asnjë shans të pranoj kërkesat tuaja. Nuk e japim Gazivodën”.

“Kështu paska fol Vuciqi në Bruksel, por ne ende nuk po e dimë se cila ka qenë përgjigja e Kryeministrit te Kosovës. Nëse e shikojmë faktin se zoti Mustafa ju iku gazetarëve në Bruksel, tregon se ai nuk ka qenë në gjendje që Vuciqit t’ia jep një përgjigje adekuate.

Është momenti i duhur që në sytë e në zemrën e Evropës, në Bruksel, Kryeministri i Kosovës dhe secili zyrtar i ngarkuar për bisedime, në secilin nivel te tyre, Serbisë se Vuciqit dhe kujtdo tjetër nga qeveria e Serbisë, që t’ju tregohet me argumente se:

Serbia jo vetëm që nuk ka prona në Kosovë, por është Kosova ajo që duhet ti kërkon pronat e saja në Serbi. Është Kosova ajo që duhet t’i kërkoj dëmet e luftës dhe te gjitha plaçkitjet tjera të bëra nga Serbia në Kosovë, plaçkitje që Serbia i ka bërë gjatë 87 viteve në Kosovë. Kur këtyre u shtohen humbjet e mëdha njerëzore te atyre viteve me këto te luftës se fundit, Serbia e Vuciqit është deri në fyt e zhytur në borxhe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve si komb. BE-ja duhet te obligoj shtetin serb që t’ia paguan dëmet e luftës Kosovës.

Vetëm në ketë mënyrë Serbia do të detyrohet t’i kryen obligimet e saja ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.

Kjo sjellje e qeveritarëve serbë, kjo pafytyrësi e tyre dhe mos gatishmëri për të ndjerë pendesë për gjenocidin e ushtruar nga qeveria serbe, pjesë e se cilës ishte Vuciqi, është e mjaftueshme që pala e Kosovës, mos të ulej në tavolinën e bisedimeve me kriminelet që tentojnë të kthehen në vendin e krimit, pa ua rreshtuar një serë kërkesash si kushtëzim për vazhdimin e bisedimeve në Bruksel.

Po a mund ta bëjnë ketë Isa Mustafa e Hashim Thaçi?! Assesi! Këta janë në pozitë të vështirë dhe të gjitha angazhimet institucionale i kanë orientuar për t’i mbrojtur interesat e tyre, nëse mundin.

Është momenti i fundit që Qeveria e Kosovës t’i ndërpres sa më parë bisedimet dhe të arrihet një konsensus nacional në shkallë kombëtare, për të dhënë përgjigjen meritore se kur e si të vazhdoheshin bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Nga ajo që po njoftojnë mediet serbe, në bisedimet e djeshme në Bruksel, kryeministrat tanë kanë pësuar debakël total.

Pyetja që shtrohet sot është: a janë në gjendje këta individ, që ta mbrojnë interesin e Kosovës dhe te qytetarëve tanë?

Përgjigja do të ishte: nuk janë në gjendje.

Ky inferioritet i qeveritarëve tanë në këto bisedime duhet të ndërpritet urgjentisht! Për ndryshe Republika Serbska po troken në dyert e Kosovës”. (sic)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/krasniqi-momenti-i-fundit-qe-te-nderpriten-bisedimet-me-serbine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala