Krasniqi: Kryeministri foli me gjuhën e “Bali Katravellit”

Autori:Gazeta Fjala

Krasniqi ka thënë se “për herë të parë i erdhi mirë që dështoi VLAN-i. Se as ai koalicion nuk do të kishte fat tjetër nga ky i tashmi. Me ketë brumë nuk mund të bëhet buka simite”.

Fjalorin e Mustafës e ka cilësuar si “formë e komunikimit me opinionin publik, mund të ngjasojë vetëm me gjuhën e despotëve aziatikë te mesjetës së hershme”

Lexojeni të plotë postimin e Krasniqit në Facebook:

“SULM” ME PANKARTA NË PRAPASHTICË?!

Mbrëmë në RTK ishte Isa Mustafa. U përpoqa goxha shumë që ta kuptoja: në çfarë cilësie po fliste ai, si Kryeministër, si lider i partisë, si kapabandë apo si kryefamiljar?! Ai, kur foli për “sulmin” në pronën e tij në Prapashticë me pankartën e vullnetarëve të LVV-së, përveç që ishte kërcënues nuk ishte i bindshëm. Sulmi nuk behet me një pankartë simbolike: “shite pronën tënde e jo Kosovën”. Gjuha që zgjodhi ai edhe në emision nuk ishte gjuhë intelektuali apo akademiku, gjithsesi as gjuhë e të parit te ekzekutivit të vendit. Ishte tepër e përafërt me gjuhën e komentuesve anonim të portaleve. Foli me gjuhën e Bali Katravellit. Nuk kishte si mos të me vinte keq, madje tepër keq, pasi ai është Kryeministër i Republikës së Kosovës. Për herë të parë me erdhi mirë për historinë e dështuar të VLAN-it! Se as ai koalicion nuk do të kishte fat tjetër nga ky i tashmi. Me ketë brumë nuk mund të bëhet buka simite.

Ajo që mund të thuhet për ketë njeri në këto momente është se, ky farë akademiku, foli para opinionit publik me fjalorin e zyrtarit të plotfuqishëm të para 26 viteve. Harroi se nga ajo kohë e deri më tani ka rrjedhur shumë ujë, është derdhur shumë gjak, janë humbur shumë jetë, kanë ndodhur shumë ngjarje që sistemi i dashur i tij, te futej në muzeun e vjetërsirave. Është fatkeqësi, por të tillët, mund të i mbijetojnë politikës vetëm ke shqiptarët. Vetëm tek ne shqiptarët mund te riciklohen dështaket dhe shkatërruesit e vendit të vet?! Dhe kjo nuk është hera e parë, të shpresojmë që të jetë e fundit?!

Nuk e di, ky njeri a e ka ndonjë këshilltar apo ndonjë bashkëpunëtor partiak që e ka guximin për t’i thënë: koqit pak, se kjo formë e komunikimit me opinionin publik, mund të ngjasojë vetëm me gjuhën e despotëve aziatikë te mesjetës së hershme. Kjo gjuhë nuk ka asgjë të përbashkët e më asgjë me shoqërinë demokratike e shtetin ligjor dhe aq më pak me rrugën e integrimeve Veri-atlantike. Diktatorët lindin vetëm aty ku ka shumë vetë nënshtrim e pak reagim qytetar. Aty ku të gjitha kërkesat politike janë reduktuar, si të gjendet një vend pune në administratën e shtetit. Kjo gjuhë është e mjaftueshme që të mobilizohen partitë opozitare me gjithë mendimtarët opozitar të shoqërisë shqiptare, që ta krijojnë Frontin e përbashkët opozitar për ta shpëtuar demokracinë, shtetin ligjor dhe perspektivën e qytetarëve tanë. Pa u krijuar ky fron, mos të presim ndryshime pozitive. Këta që e kanë krijuar ketë realitet, nuk mund ta ndryshojnë dot. Vetëm përkeqësimi është i mundur dhe i pritshëm.

Nëse në rastin tonë e shtrojmë një pyetje: A e rrezikuan aktivistët e VV-së familjen e Kryeministrit? Përgjigjja më e shkurtër është Jo e Madhe. Është e vështirë për t’u besuar se ata paskan rrezikuar dike nga familjarët e tij me simbolikën që e përdoren. Ndërsa, është fakt se Kryeministri dhe ekipi i tij i bisedimeve komprometuese me palën serbe në Bruksel, janë duke e rrezikuar të ardhmen e çdo qytetari te Republikës së Kosovës, përfshirë këtu edhe fëmijët e tyre. Kjo është e vërteta. Pra, zoti Mustafa, është e vështirë që të mbulohet e pa mbuluara e një “marrëveshje” te keqe (ndonëse marrëveshja e duhur nuk po duket në horizont), me “sulmin” e vullnetarëve të VV-së me pankarta në Prapashticë?! Mbase ti je prekur shumë pse të paskan thënë: “Shite pronën tende e jo Kosovën”! Ju jeni aty për të menaxhuar me pronën kombëtare e publike për interesin e qytetarëve të Kosovës e jo për interesat e të tjerëve, kushdo qofshin ata apo të familjarëve. Mos u fshihni pas aleatëve e partnerëve perëndimor?! Ata nuk i keni krijuar ju.

Krejt nga fundi i emisionit, ai, Kryeministri i Kosovës, në vend që t’i kërkonte falje VV-së dhe opinionit publik për fjalorin e tij denigrues dhe te djemve të tij të rritur për tenderë, ai i kërkoi falje Gomarit?! Veç nuk munda ta kuptojë, Kryeministër i kujt është ai?!

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/krasniqi-kryeministri-foli-me-gjuhen-e-bali-katravellit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala