Krasniqi kërkesë bankave: Ulni kamatat për fermerët

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka kërkuar sot nga bankat në Kosovë që të ulin kamatat për kreditë bujqësore. Ai këtë kërkesë e ka bërë gjatë një takimi mes Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të biznesit në vend. Krasniqi theksoi se MBPZHR-ja këtë vit po ndanë rreth 20 milionë euro për fermerët në formë grantesh, por theksoi se për të siguruar një zhvillim edhe më të madh dhe qëndrueshmëri të bizneseve në bujqësi, kreditimi bujqësor duhet të jetë sa më lehtësues, sepse sipas tij tani për tani kreditë për bujqit janë më kamatat më të larta.

“Dëshiroj ta them një shqetësim, apo kërkesë sa i përket sektorit bankar dhe që lidhet me kreditimin bujqësor. Është lajm i mirë se ka një rënie të kamatave por është fat i keq që kjo rënie nuk është përcjellë edhe në kreditimin në bujqësi. Ne vazhdojmë të kemi pjesëmarrjen e kredive bujqësore në nivele të dhimbshme, diku rreth 4 %, dhe po flasim për punëdhënësin ndoshta më të madh në vend dhe 61 % të popullsisë së Kosovës që jeton në zonat rurale. Ka një qasje hezituese ndaj fermerëve, dhe projekteve që janë bujqësore. E kuptoj edhe vlerësimin e riskut që bëjnë bankat kur mendojnë për bujqësinë. Ka një rënie në kamata, por ende ajo është dyshifrore dhe për fat të keq kjo nuk ndikon në zhvillimin e bujqësisë edhe përmes sektorit bankar”, tha Krasniqi.

Ai gjithashtu përmendi edhe disa argumente të tjera se pse për fermerët duhet të ketë lehtësira në kredi dhe qasje me favorizuese.

“Edhe sipas raporteve të Bankës Qendrore, fermerët janë më të rregullt në kthimin e kredisë, se sa të gjithë ata që marrin për çështje të tjera dhe kjo do të duhej të ishte sinjal që bankat të kenë një qasje më mirëbësuese ndaj fermerëve. Fatkeqësisht bankat nuk po e shohin si garancë as kontratën që fermerët lidhin me Qeverinë e Kosovës, kur përfitojnë një grant, dhe kjo është e çuditshme sepse ata i kanë të garantuara ato mjete, deri në 75 % të investimit në fermë, nga granti i drejtpërdrejtë qeveritar”, deklaroi ministri Krasniqi, teksa ka ripërsëritur se duhet këto kamata të ulën dhe të ketë qasje mirëbesuese për fermerët.

Përveç granteve dhe subvencioneve deri në 43 milionë euro që do të shpërndahen këtë vit, Krasniqi përmendi se po krijojnë lehtësira në investime edhe përmes ligjit të ri të pyjeve, ku do të zgjatet afati i dhënies me koncesion të tokës pyjore.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/krasniqi-kerkese-bankave-ulni-kamatat-per-fermeret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala