Krasniqi: Bujqësia, ndër sektorët më përfitues nga MSA-ja

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Memli Krasniqi, ka thënë se nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) bujqësia është ndër sektorët kryesor që do të ketë përfitime.

Krasniqi ka thënë se me këtë marrëveshje prodhimet tona bujqësore do të eksportohen tashmë në një treg 500-milionësh.
“Ka prodhime nga Kosova që janë të pranishme në tregun evropian, por me Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim prodhuesit dhe përpunuesit tanë do të kenë mundësi të reja që produktet e tyre t’i shesin në tregjet e Bashkimit Evropian (BE), duke përfituar nga lehtësirat doganore dhe masat e tjera preferenciale”, është shprehur ai.

Ministri Krasniqi në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re”, ka bërë me dije se mbi 2 500 produkteve bujqësore do t’u hiqen tarifa doganore, duke bërë kështu që të rriten edhe investimet e huaja në bujqësi.

“Janë mbi 2 500 produkte bujqësore për të cilat do të hiqen tarifat doganore të BE-së dhe për një pjesë të tyre si, p.sh. për verërat, do të rriten dukshëm kuotat e eksportit pa tarifa nga Kosova në BE. MSA-ja do ta hapë mundësinë edhe të investimeve të huaja direkte në bujqësi, meqë investitorët potencialë tashmë do të kenë mundësi të qasjes në një treg qindra herë më të madh sesa tregu i Kosovës”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se kjo do ta rrisë punësimin në sektorin e bujqësisë dhe do ta rrisë konkurrencën.

I pyetur nëse prodhon Kosova produkte të cilat i plotësojnë të gjitha kushtet e BE-se, ai është përgjigjur se ka produkte të cilat i përmbushin standardet evropiane të cilësisë, por ka ende punë në këtë drejtim, në mënyrë që të gjithë prodhuesit të arrijnë cilësinë që kërkohet në tregun evropian. Ndërkaq sa iu përket produkteve që kanë përparësi krahasuese në tregun evropian, ministri Krasniqi ka deklaruar se mjedrat, dredhëzat, patatet, produktet e përpunuara nga pemët dhe perimet, verërat etj., janë produktet potenciale të eksportit.

“Këto produkte, por edhe të tjera, që po tregojnë rritje të vazhdueshme të prodhimit dhe cilësisë, janë ato që do të mund të gjejnë treg të mirë në Evropë”, është shprehur ai.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/krasniqi-bujqesia-nder-sektoret-me-perfitues-nga-msa-ja/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala