KQZ vëzhgoi zgjedhjet në Bullgari dhe Poloni

Autori:Avdyl Pajaziti

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po qëndron në Poloni dhe në Bullgari për të vëzhguar procesin e zgjedhjeve në këto dy shtete që u zhvilluan të dielën.

Nga vëzhgimi i zgjedhjeve lokale në Bullgari

Fillimisht, një delegacion i KQZ-së, në përbërje të anëtarëve Betim Gjoshi, Ilir Gashi, Florian Dushi, Binak Vishaj, Ergit Qeli dhe Kryeshefi Ekzekutiv i SKQZ-së, Enis Halimi, po qëndrojnë në Bullgari me ftesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të këtij shteti.

Gjatë ditës së diel, delegacioni i KQZ-së është pritur në takim nga kryetarja e KQZ-së së Bullgarisë, Ivilina Aleksieva dhe anëtarët e këtij komisioni.

Në këtë takim, kryesuesi i delegacionit të KQZ-së, Betim Gjoshi falënderoi për ftesën dhe shprehu gatishmërinë për të shtuar bashkëpunimin në të ardhmen ndërmjet dy institucioneve.

Vlen të përmendet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Bullgarisë në këto zgjedhje, ka përshtatur Fletëvotimin e Zgjedhjeve për Këshillat Komunal duke e marrë si model Fletëvotimin nga Zgjedhjet për Kuvendet Komunale të Republikës së Kosovës.

Nga vëzhgimi i zgjedhjeve parlamentare në Poloni

Po ashtu, një delegacion tjetër i KQZ-së, në përbërje të anëtarëve Adnan Rrustemi, Eshref Vishi, Nenad Rikalo dhe Bajram Ljatifi po qëndrojnë në Poloni me ftesë të Komisionit Nacional Zgjedhor për të vëzhguar zgjedhjet.

Delegacioni i KQZ-së së bashku me delegacionet nga Lituania, Letonia, Rumania dhe Tajlanda, janë pritur në takim të përbashkët nga kryetari i Komisionit Nacional Zgjedhor të Polonisë, Wojciech Hermelinski.

Gjatë këtij takimi, në emër të KQZ-së së Republikës së Kosovës, falënderoi për ftesën anëtari Bajram Ljatifi dhe vlerësoi se kjo është një mundësi e mirë për të parë nga afër praktikat zgjedhore të Polonisë. Në këtë takim, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Asociacionit të Zyrtarëve Zgjedhor Evropian.

Gjatë ditës së zgjedhjeve, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishin prezent në disa qendra votimit për të parë nga afër përgatitjet, procesin e votimit si dhe procesin e numërimit të votave. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kqz-vezhgoi-zgjedhjet-ne-bullgari-dhe-poloni/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala