KQZ i sqaron Çohut se nuk shpërndan fonde për partitë politike

Autori:Gazeta Fjala

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e vlerëson si të nevojshme të jap sqarimet e mëposhtme për qytetarët e Republikës së Kosovës, pas publikimit të reagimit nga ana e Organizatës për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet, ÇOHU! me titull: “Reagim mbi fondin e KQZ-së për subjektet politike”, të datës 5 shkurt 2016.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson se ky reagim i kësaj organizate pas vendimit të KQZ-së në lidhje me Fondin për mbështetjen e subjekteve politike për vitin 2016, tregon mungesën e njohurive të Ligjit Nr. 03/L-174 për Financimin e Subjekteve Politike dhe Rregullës nr. 14/2015 mbi Financimin e Subjekteve Politike dhe Sanksionet, dhe si i tillë krijon vetëm konfuzion.

Kjo organizatë nuk i njeh detyrimet ligjore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kur shkruan se:
“Institucionet tona (KQZ), po vazhdon të ndajë miliona euro për partitë politike që akoma nuk dihet se si i kanë shpenzuar paratë që u janë dhënë tri viteve të fundit”. Do të mjaftonte një lexim sipërfaqësor për të kuptuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e krijon një fond të tillë dhe për më tepër nuk shpërndan fonde, sepse përgjegjësia e vetme e KQZ-së është tejet e kufizuar dhe ka të bëjë me aspekte teknike e procedurale.

Në nenin 7 të Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike, paragrafi 1, është thënë qartë se Financimi publik i subjekteve politike bëhet përmes Buxhetit të Republikës së Kosovës, nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike. Ndërsa, në paragrafin 2, përcaktohet se Fondi për mbështetjen e subjekteve politike funksionon në kuadër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Pra, kjo tregon se ky nuk është një fond i KQZ-së, siç pretendohet në titullin e reagimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes vendimit të tij ka bërë vetëm ndarjen e mjeteve nga ky fond, sipas kritereve të parapara në nenin 9 të këtij ligji, dhe në këtë mënyrë ka përmbushur obligimin e vet ligjor. Po ashtu, edhe lartësia e shumës është e përcaktuar me ligj dhe jo nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ndërkaq, lidhur me auditimin e Raporteve Financiare dhe Raportet e Deklarimit të Fushatës të cilat dorëzohen nga subjektet politike në KQZ, në Ligjin nr. 04/L-212 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike, janë përcaktuar qartë detyrat dhe përgjegjësitë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të institucioneve tjera.

Në fund, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i pavarur, i përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, siguron dhe shpreh përkushtimin se do të vazhdojë të përmbushë obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kqz-i-sqaron-cohut-se-nuk-shperndan-fonde-per-partite-politike/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala