KPS: Organizatat studentore përfaqësojnë interesat e grupeve mafioze

Autori:Avdyl Pajaziti

Një ditë para zgjedhjeve të parakohshme studentore, aktivistët e Klubit Politik të Studentëve kanë shpërndarë fletushka në disa fakultete të Universitetit të Prishtinës, ku përmes tyre kanë bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve studentore.

“Më 13 janar MOS VOTO”, shkruhet në fletushka.

Sipas tyre studentët e UP-së edhe këtë vit duhet ti injorojnë të ashtuquajturat zgjedhje studentore, ngase këto zgjedhje nuk garantojnë përfaqësim të denjë të studentëve në organet vendimmarrëse të universitetit.

“Sikurse deri më tani, studentët e Universitetit të Prishtinës duhet të injorojnë edhe në këtë vit të ashtuquajturat zgjedhje studentore, të cilat nuk bëhen për hir të interesave të studentëve, por për interesat e grupeve mafioze brenda Universitetit, veçanërisht në shërbim të të vetëquajturave organizata studentore”, thuhet në njoftim.

“Ne besojmë që sistemi aktual i përfaqësimit të studentëve duhet të ndryshohet meqë këshillat e studentëve përfaqësojnë vetëm 1% të numrit të përgjithshëm të studentëve të rregullt. Po ashtu përmes këtyre zgjedhjeve mundësohet që vetëm 10% e zërit studentor të përfaqësohet në forumet vendimmarrëse të fakultetit. Për më tepër përmes këtyre zgjedhjeve përjashtohen nga e drejta për të përfaqësuar studentët jo të rregullt (studentët me korrespodencë)”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Klubi Politik i Studentëve thekson se do të angazhohet që të kundërshtojë këtë organizim që i shërben riprodhimit të sistemit shtypës.

“Andaj, duhet të ngritemi kundër këtij organizmi që i shërben riprodhimit të sistemit shtypës. Duhet të organizohemi në asamble e këshilla paralele të ngritura nga vetë studentët dhe vetëm për studentë. Nga aty duhet ta nisim organizmin si formë burimore e demokracisë me synim jo vetëm transformimin e Universitetit, por të tërë sistemit shtypës ekonomik dhe politik në vendin tonë./GazetaFjala/.

KPS

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kps-organizatat-studentore-perfaqesojne-interesat-e-grupeve-mafioze/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala