Kostoja e refugjatëve, Merkel: Nuk do të rrisim taksat, kemi kapacitete

Autori:Gazeta Fjala

Valën e paprecedentë të azilkërkuesve, Gjermania mund ta përballojë edhe pa rritur taksat. Pas diskutimeve me ministat e Brendshëm të secilit land, Kancelarja Angela Merkel njoftoi se nuk do të ndiqet kjo rrugë, për të ndihmuar finacimin e kujdesit ndaj qindra e mijëra të ardhurve këtë vit.

“Mund të kënaqemi me menaxhimin shumë të mirë që kemi pasur prej vitesh, falë të cilit situata jonë ekonomike është sot e qëndrueshme”, i tha shefja e ekzekutivit gjerman gazetës më të shitur në vend, “Bild”.

“Pavarësisht fluksit të emigrantëve, askush nuk duhet të shqetësohet se këta të ardhur rishtazi do të ulin cilësinë e deritanishme të shërbimeve”, shtoi ajo, duke iu referuar sidomos sistemit shëndetësor.

Qëndrimi i palëkundur në raport me azilkërkuesit e ka vënë Merkelin në shënjestër jo vetëm të opozitës, por edhe të disa prej vetë aleatëve të saj politikë. Megjithatë, në intervistën e dhënë për “Bild”, Kancelarja u shfaq krejtësisht e pashqetësuar nga sondazhet, që tregojnë një rënie të popullaritetit.

“Personalisht, sistem matës nuk kam anketimet, – ishte komenti i Merkelit. – Detyra ime është t’u gjej problemeve një zgjidhje, e aty e kam përqëndruar të gjithë vëmendjen”.

Sipas sondazhit të fundit të publikuar nga “Bild am Sonntag”, 48% e të intervistuarve nuk pajtoheshin me mënyrën sesi Merkel e ka menaxhuar krizën e emigracionit, ndërsa 39% e mbështesnin qasjen e saj.

Nga parashikimet e zyrtarëve gjermanë, vendi këtë vit duhet të përgatitet për 800 mijë kërkesa azili, ndërsa disa nga mediat vendase spekulojnë se, deri në muajin dhjetor, numri i refugjatëve do të mbërrijë në një milion e gjysmë./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kostoja-e-refugjateve-merkel-nuk-do-te-rrisim-taksat-kemi-kapacitete/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala