Kosovës i duhet ligji Anti-mafia

Kuvendi i Kosovës vazhdon të mos e ketë edhe më tutje ligjin tashmë të shumë përfolur ‘Anti-Maifa’, ligj ky i cili rregullon shumë çështje që kanë të bëjnë me fitimin e pasurisë në mënyrë të paligjshme e që njëkohësisht është njëra ndër kërkesat e dala nga disa raporte të Komisionit Evropian.
Ndonëse qeveria thotë se i njëjtë me të është ligji që tash e tri vite është funksional në Kosovë “Ligji për Zgjerimin e Kompetencave për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar me Vepër Penale”, për opozitën, shoqërinë civile, e madje edhe përfaqësues të ambasadave në vendin tonë, vendi duhet të ketë sa më parë ligjin me emërtimin ‘Anti- Mafia’ me çka edhe sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë do të bëhej me procedura më të përshpejtuara.
Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, i pyetur nga KosovaPress për atë pse ende nuk kemi një ligj të tillë ka thënë përmes një mesazhi telefonik se në Kosovës ndonëse nuk ekziston ligji Anti-Mafia, është ligji tjetër “Ligji për Zgjerimin e Kompetencave për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar me Vepër Penale” që kryen funksionin e njëjtë por me emërtim ndryshe.
Ndërsa Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, për KosovaPress ka thënë se mungesa e një pako ligjore kundër korrupsionit po ndikon në mos luftimin e kësaj dukurie.
Sipas saj nxjerrja sa më parë e ligjit Anti-Mafia, për çka subjekti i saj politik këtyre ditëve do të dorëzojë këtë projektligj në kuvend, do të luftonte korrupsionin dhe pasurimin e zyrtarëve shtetëror në mënyrë të paligjshme. Po për të pruar një ligj të tillë Haxhiu thotë se ka mungesë të vullnetit politik. KP