Kosovë-SHBA, gati marrëveshja për ekstradim

Autori:Avdyl Pajaziti

Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në fazën e përmbylljes së marrëveshjes së ekstradimit.

Deri më tani kërkesat për ekstradim nga Shtete Bashkuara të Amerikës janë bërë mbi bazën e një marrëveshje ekstradimi të vitit 1901 në mes të SHBA dhe Mbretërisë së Serbisë.

Që nga viti i kaluar Ministria e Drejtësisë e Kosovës dhe sektori i drejtësisë i Departamentit Amerikan kanë nisur bisedimet për një marrëveshje ekstradimi.

Kjo marrëveshje, sipas zyrtarëve në Kosovë është në fazën finale të negocimit.

Zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë, Saranda Salihu, ka thënë se marrëveshja pritet të lehtësoj procedurat ekstradimit, e të kërkuarve, sidomos atyre për terrorizëm.

“Marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është në proces dhe pritet të nënshkruhet së shpejti. Marrëveshja është e natyrës së përgjithshme, sikurse me të gjitha shtetet e tjera. Kjo pritet të lehtësoj procedurat e ekstradimit të personave të kërkuar për krime të ndryshme”, ka i ka thënë Salihu, Radio Kosovës.

Autoritet amerikane në muajin mars në raportin për trafikimin narkotikëve kanë paralajmëruar një marrëveshje ekstradimi me Kosovën.

Gjykatësit e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit kanë refuzuar disa herë kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ekstradimin e shtetasve të Kosovës në këtë vend.

Gjykatësit evropianë në Kosovë konsideronin se kërkesat amerikane për ekstradim të shtetasve kosovarë janë në shpërputhje me sovranitetin e Kosovës.

Kjo kishte ndodhur në rastin e Bajram Asllanit nga Mitrovica, i kërkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për veprën penale të “ofrimit të përkrahjes materiale për terroristët”.

Gjykatësit evropianë në këto raste kontestojnë vlefshmërinë e Marrëveshjes për ekstradim të datës 21 tetor 1901, e nënshkruar mes Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Serbisë, mbi bazën e së cilave bëhen kërkesat për ekstradim.

Edhe tani misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, konsideron se edhe po të ishte e vlefshme marrëveshja e vitit 1901 nuk i përmbush kriteret për ekstradimin e qytetarëve kosovarë, ngase vepra penale e “përkrahje e terrorizmit” nuk është e përfshirë si vepër penale në Marrëveshjen e vitit 1901.

Autoritet kosovare deri më tani kanë të nënshkruara marrëveshje ekstradimi me rreth 30 shtete.

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosove-shba-gati-marreveshja-per-ekstradim/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala